BE-ja për takimin Tramp-Zelenski: Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën
- Bashkimi Evropian ka një qëndrim të qartë për Ukrainën dhe po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në lidhje me vendin, deklaroi sot zëvendës-zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, në përgjigje të pyetjes së një gazetari për pritjet e BE-së nga takimi i presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës, Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski në Uashington.

Bruksel, 28 shkurt 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian ka një qëndrim të qartë për Ukrainën dhe po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në lidhje me vendin, deklaroi sot zëvendës-zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, në përgjigje të pyetjes së një gazetari për pritjet e BE-së nga takimi i presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës, Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski në Uashington.
"Qëndrimi ynë ka qenë kristal i qartë që në fillim dhe mbetet i pandryshuar. Ne po punojmë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën", deklaroi Podesta.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Anuar El Anuni shtoi se BE-ja nuk largohet nga pozicioni "asgjë për Ukrainën pa Ukrainën dhe asgjë për sigurinë e Ukrainës pa BE-në", sepse "siguria e Ukrainës është gjithashtu siguria e BE-së".
"BE-ja dhe SHBA-ja kanë një interes të përbashkët për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Paqe përmes fuqizimit. Ne duhet ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm përpara çdo negociate”, tha El Anuni, duke shtuar se është e rëndësishme në këtë moment të mos biem në grackat e vendosura nga Rusia.
Në pyetjen për qëndrimin e KE-së për dërgimin e forcave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për armëpushim, El Anuni theksoi se kjo çështje është në kompetencën e vendeve anëtare dhe nuk është detyrë e Komisionit të propozojë diçka të tillë.
"Ne e dimë se Ukraina ka nevojë për më shumë municion, mbrojtje më të fortë ajrore dhe mbështetje më të madhe për industrinë e saj të mbrojtjes. Ne duhet t'i japim Ukrainës atë që i nevojitet për të fituar këtë luftë. Kjo është e qartë dhe ky është tani prioriteti ynë", shtoi El Anuni. ls/
Foto: Skrinshot