• e mërkurë, 07 gusht 2024

BE: Izraeli të heqë dorë nga veprimet që përkeqësojnë kushtet e jetesës së civilëve në Gazë

BE: Izraeli të heqë dorë nga veprimet që përkeqësojnë kushtet e jetesës së civilëve në Gazë

Bruksel, 6 gusht 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim serioz për shkak të shkatërrimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kyçe civile në Rripin e Gazës përfshirë edhe impiantin e trajtimit të ujit në Rafah dhe i është bashkuar thirrjeve ndërkombëtare për zbardhjen e këtij incidenti.

"I bëjmë thirrje qeverisë izraelite të tërhiqet nga veprimet që përkeqësojnë kushtet e jetesës së popullatës civile në Gazë dhe të respektojë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Nevojitet armëpushim urgjent për t'i dhënë fund vuajtjeve të civilëve në Gazë si dhe pengjeve izraelite", thuhet në deklaratë në emër të Unionit nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel.

Sipas tij, "katastrofa humanitare e përkeqësuar" në Gazë përkeqëson në mënyrë shtesë kushtet e jetesës së popullatës civile e cila vazhdon të përballet me urinë dhe tashmë dhjetë muaj është e ekspozuar ndaj zhvendosjes së vazhdueshme në kampet e tendave të mbipopulluara.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për kolapsin e sistemit sanitar, menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe sistemeve shëndetësore të cilat po shkaktojnë përhapjen e sëmundjeve duke përfshirë infeksionet e ndryshme, veçanërisht tek fëmijët", thuhet në deklaratë.

BE thekson gjithashtu se sulmet në infrastrukturën kritike përbëjnë krim lufte dhe u bën thirrje të gjitha palëve të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur viktimat mes civilëve dhe punonjësve humanitarë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike civile.

"Përsërisim urgjencën për shpërndarjen e plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare për palestinezët në aspektin e nevojshëm", thekson Borel.

Në deklarata theksohet rëndësia e respektimit dhe zbatimit të vendimeve ligjërisht të detyrueshme të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe potencohet se shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të hetohen tërësisht dhe në mënyrë të pavarur dhe autorët e tyre të thirren në përgjegjësi.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR