• e hënë, 23 dhjetor 2024

BDI: Të tregojë Komuna e Tetovës ku kanë përfunduar 25 milionë denarë të dedikuara për pagat e punëtorëve të NP "Higjiena komunale" - Tetovë

BDI: Të tregojë Komuna e Tetovës ku kanë përfunduar 25 milionë denarë të dedikuara për pagat e punëtorëve të NP

Tetovë, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Para objektit të Ndërmarrjes publike “Higjiena komunale Tetova” – Tetovë, sot këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë mbajtur konferencë për shtyp, duke paraqitur shqetësimin e tyre në lidhje me mos-pagesën e rrogave dhe të sigurimit shëndetësor tashmë tre muaj për punëtorët e Ndërmarrjes.

Këshilltarët e BDI-së theksuan se para një viti, me kërkesë të udhëheqësisë së komunës, Ndërmarrjes Publike Komunale iu ndanë 25 milionë denarë, me qëllim që të paguhet tre rrogat të cilat ndërmarrja iu kishte borxh të punësuarve, rroga të cilat edhe sot nuk janë paguar.

"Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet qyteti në aspektin e pastërtisë për shkak se punëtorët e NPK-së protestojnë pasi kanë 3 muaj pa rroga dhe pa sigurim shëndetësor, duam të njoftojmë opinionin se para një viti në seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal me kërkesë të udhëheqësisë së komunës iu ndanë 25 milionë denarë Ndërmarrjes Publike Komunale, me qëllim që punëtorëve të iu paguhen tre pagat që ndërmarrja ua kishte borxh. Në atë seancë ne kërkuam dëshmi se këto mjete do shkojnë te punëtorët, por kryetari i komunës në mënyrë kategorike refuzoi që këto dëshmi t'i jepen Këshillit Komunal", njoftuan këshilltarët në kumtesë.

Sot, shtohet më tej, pas një viti punëtorët e NPK-së vazhdojnë të jenë të lënë në harresë dhe tre muaj pa paga e pa sigurim shëndetësor.

"Prandaj kërkojmë nga kryetari i komunës që në vend se të shëtitet nëpër Evropë, të dalë dhe të mbajë përgjegjësi duke na njoftuar se ku kanë përfunduar 25 milionë denarë të destinuara për pagat e punëtorëve te NPK-së, pasi ai vetë disa herë ka ardhur këtu dhe iu ka premtuar se do ua përmirësojë kushtet e punës dhe do jua paguajë pagat. Tani del se këto punëtorë që bëjnë punë fisnike në qytetin tonë, përdoren vetëm për fushatë, ndërsa pastaj lihen në harresë dhe më e keqja zhvaten mjete nga buxheti komunal në emër të këtyre punëtorëve, mjete që nuk shkojnë aty ku destinohen”, u tha në konferencën e këshilltarëve komunal të BDI-së. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR