• e hënë, 23 dhjetor 2024

BDI dënon sulmin ndaj kryetarit të FFM-së, Muhamet Sejdini: Thirrje për reagim institucional dhe reflektim mbi marrëdhëniet ndëretnike

BDI dënon sulmin ndaj kryetarit të FFM-së, Muhamet Sejdini: Thirrje për reagim institucional dhe reflektim mbi marrëdhëniet ndëretnike

Shkup, 28 shtator 2024 (MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për sulmin fizik të kryer ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini, sulm ky i pashembullt ndaj një personaliteti të shquar sportiv dhe shqiptar i parë në krye të FFM-së. Ky akt i shëmtuar, njofton BDI-ja në kumtesë, i realizuar nga persona të maskuar para një restoranti, përbën një alarm të fortë për rritjen e tensioneve ndëretnike në vend.

"Ky incident ndodh në një kohë kur qeveria po sillet si një 'buall në dyqan porcelani', duke injoruar dhe margjinalizuar rolin e shqiptarëve në jetën publike dhe institucionale dhe duke nënçmuar rëndësinë e marrëdhënieve ndëretnike. Sjellje të tilla, që vijnë në javën e një sërë incidentesh të tjera me sfond etnik, vetëm sa përkeqësojnë situatën dhe krijojnë një ambient të rrezikshëm për bashkëjetesën ndëretnike. Nëse kryetari i FFM-së mund të sulmohet vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike, çfarë mund të ndiejë një qytetar i zakonshëm shqiptar për sigurinë e tij dhe të fëmijëve të tij? Ky është një mesazh i rrezikshëm që minon besimin e qytetarëve në sigurinë dhe drejtësinë e institucioneve të shtetit", thuhet në kumtesë.

Ky sulm, shtohet më tej, ndodh gjithashtu në një kontekst të një dështimi të madh në procesin e integrimit europian, i cili ka krijuar zhgënjim të thellë dhe ka errësuar perspektivat dhe shpresat e qytetarëve tanë. Deklaratat fyese të ministrit të Arsimit, që ofendoi punonjësit shqiptarë duke i quajtur “popull analfabet”, shtojnë edhe më shumë tensionin dhe ndarjet në shoqëri.

BDI i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të veprojnë me shpejtësi dhe profesionalizëm për të zbardhur këtë akt kriminal dhe për të vendosur autorët para drejtësisë. Po ashtu, kërkojmë nga qeveria të reflektojë seriozisht mbi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve ndëretnike dhe të respektojë parimet e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve.

"Nga ana tjetër, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, të cilët nuk kanë legjitimitetin e përfaqësimit të denjë të komunitetit tonë, duhet të ndalojnë përqendrimin e tyre në tendera dhe korrupsion dhe të kujtojnë se kanë një përgjegjësi ndaj shqiptarëve. BDI mbetet e përkushtuar në promovimin e paqes, stabilitetit dhe përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve në vend. Asnjë akt dhune, diskriminimi apo përjashtimi nuk mund të minojë frymën e bashkëjetesës dhe të drejtës për barazi që ne do të vazhdojmë të mbrojmë me çdo kusht", thuhet në kumtesën e BDI-së. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR