Arrestohen 234 persona në një operacion ndërkombëtar kundër krimit të organizuar në Turqi
- Autoritetet turke sot njoftuan se kanë arrestuar 234 persona të dyshuar në pesë vende në operacionin më të madh ndërkombëtar kundër organizatave të përfshira në tregtinë me drogë.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:31, 15 prill, 2025

Stamboll, 15 prill 2025 (MIA) - Autoritetet turke sot njoftuan se kanë arrestuar 234 persona të dyshuar në pesë vende në operacionin më të madh ndërkombëtar kundër organizatave të përfshira në tregtinë me drogë.
"Janë arrestuar 234 anëtarë të lartë të grupeve të organizuara kriminele, 225 në vend dhe nëntë jashtë vendit", deklaroi ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja, duke shtuar se arrestimi është kryer në Holandë, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
Ai tha se në mesin e të arrestuarve ka anëtarë të organizatave të cilat merren me kontrabandën e kokainës, heroinës dhe ekstaze në disa kontinente.
"Janë sekuestruar mbi 21 ton lëndë narkotike, prona dhe mallra me vlerë prej 13 miliardë lira turke (rreth 300 milion euro). Po përballemi me një strukturë të madhe ndërkombëtare”, tha ministri turk.
Ai theksoi se të dyshuarit akuzohen për një gamë të gjerë krimesh, nga trafiku i drogës deri te vrasjet dhe pastrimi i parave.
"Si pjesë e këtij operacioni janë shkëmbyer informacione dhe dokumente me forcat policore të Francës, Anglisë, Australisë, SHBA-së, Greqisë, Serbisë, Azerbajxhanit, Kosovës, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Brazilit dhe Iranit", shtoi Jerlikaja. qa/
Foto: arkivi i MIA-s