• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Arbër Ademi: I lamë mbështetësit tanë vetë të vendosin nëse do të votojnë për zgjedhjet presidenciale

Arbër Ademi: I lamë mbështetësit tanë vetë të vendosin nëse do të votojnë për zgjedhjet presidenciale

Tetovë, 8 maj 2024 (MIA) - Shefi i Shtabit Zgjedhor të Frontit Evropian, Arbër Ademi nga selia e BDI-së në Reçicë të Vogël në konferencën e parë për media pas përfundimit të votimit në zgjedhjet parlamentare dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale e vlerësoi ditën e sotme të zgjedhjeve se është zhvilluar pa ndërprerë dhe pa kurrfarë incidente të cilat do të mund të reflektonin në këtë proces. Ai i dënoi, siç tha, përpjekjet e opozitës për propagandë, lajme të rreme dhe dezinformata. 

"Fronti Evropian do të jetë dëshmitar i fitores historike në këtë referendum gjithëpopullor i cili do ta vulosë të ardhmen evropiane të vendit. Kthim prapa nuk ka dhe nuk do të ketë, sepse vullneti i qytetarëve është para të gjithave. Më 24 prill dhe sot populli e tha fjalën e tij dhe Fronti Evropian do të mbetet përgjithmonë besnik në vullnetin e votuesit. Sonte fitorja është e jona, e gjithë juve që i thatë 'jo' Rusisë, 'po' Evropës. Njëjtë si edhe sot pjesëmarrja aktive e qytetarëve në proceset politike do të jetë vendimtare për avancimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Maqedoninë e Veriut", tha Ademi.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ka votuar personalisht në zgjedhjet presidenciale, Ademi tha se nuk e ka bërë këtë, por theksoi se disa nga BDI e kanë shfrytëzuar atë të drejtë. 

"Ne i lamë mbështetësit tanë të vendosin të pavarur si do të sillen apropo zgjedhjeve presidenciale. Nëse bëjmë krahasim mes përqindjes së daljes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, mund të konstatohet se ka një dallim të vogël, por jo deri në atë shkallë, të reflektohet gjendja faktike e mbështetësve tanë në zgjedhjet e 24 prillit. Ka pasur mbështetës të Frontit Evropian të cilët e kanë shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjet presidenciale. Kryetari Ahmeti votoi sot, kryeministri Xhaferi votoi sot, ministri i Punëve të Jashtme, qytetarët sipas bindjes së lirë vendosën nëse do të votojnë ose jo", theksoi Ademi. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR