• e hënë, 23 dhjetor 2024

Apasiev: E Majta nuk do të mbështesë që një shqiptar të jetë kryetar i Kuvendit

Apasiev: E Majta nuk do të mbështesë që një shqiptar të jetë kryetar i Kuvendit

Shkup, 28 maj 2024 (MIA) - Deputetët e së Majtës nuk do ta mbështesin Afrim Gashin nga Alternativa për kryetar të Kuvendit. Lideri i partisë, Dimitar Apasiev, para fillimit të seancës konstituive deklaroi se ata nuk do të japin mbështetje që një shqiptar të jetë kryetar i Kuvendit.

Në pyetjen se pse nuk duan që një shqiptar të jetë kryetar i Kuvendit, Apasiev tha se "është jokushtetuese të flitet në gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase gjatë mbajtjes së seancave".

"Sepse është antikushtetuese të flasësh në gjuhë tjetër përvec gjuhës maqedonase gjatë mbajtjes së seancave", shtoi Apasiev.

Ai tha se pret "kosovarizim" të vendit, dhe i ofroi Mickosit, siç tha, mbështetje blanko që kjo të mos ndodhë.

"Pritshmëritë janë për 'kosovarizim' të vendit siç i votuat ju, ato janë pritshmëritë. Do të jepnim mbështetjen e të gjashtëve tanë që të mos jetë shqiptar kryetari i Kuvendit. Po i bëjmë thirrje hapur Mickoskit, një mbështetje blanko të paparë, vetëm që të mos 'kosovarizohet' sërish Kuvendi i Maqedonisë", tha Apasiev.

Në Kuvend sot filloi seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare. Seancën e kryeson deputetja më e vjetër Merita Kolçi Koxhaxhiku.

Në rendin e ditës të seancës janë përzgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, përzgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe përzgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimum tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN. ls/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s 

QËNDRONI TË LIDHUR