Andonovski: Maqedonia po bëhet lider në shërbimet elektronike në Ballkanin Perëndimor
- Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski ka mbajtur fjalim në Forumin për zhvillim rajonal të organizuar nga Unioni ndërkombëtar i telekomunikacionit (UNT) i cili mbahet në Budapest, Republika e Hungarisë, njoftoi sot ministria.
- Post By Fami Bajrami
- 11:03, 24 shkurt, 2025

Shkup, 24 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski ka mbajtur fjalim në Forumin për zhvillim rajonal të organizuar nga Unioni ndërkombëtar i telekomunikacionit (UNT) i cili mbahet në Budapest, Republika e Hungarisë, njoftoi sot ministria.
Në sesionin kushtuar gjendjes së zhvillimit digjital, sfidave dhe mundësive të trendëve të reja, Andonovski theksoi se në Maqedoni industria digjitale kontribuon mbi 5% të BPV-së dhe se kjo shifër është në rritje.
"Qëllimi ynë është ta përshpejtojmë këtë rritje duke investuar në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën digjitale, duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje në shërbime digjitale të shpejta, të besueshme dhe të sigurta. Duke parë përpara në vitin 2025, momenti ynë i ardhshëm historik është zgjerimi i shërbimeve digjitale të qeverisë dhe zhvillimi i iniciativave të qyteteve të zgjuara, sistemeve të identitetit digjital dhe automatizimi i IA-së. Ne nuk duam vetëm të jemi në hap me revolucionin digjital- dëshirojmë që Maqedonia të bëhet lidere në qeverisjen digjitale në Ballkanin Perëndimor", ka thënë ministri Andonovski.
Ministri ka shtuar se digjitalizimi nuk shtrihet vetëm në kuadër të kufijve shtetëror dhe se Maqedonia është e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal në pjesën e Agjendës digjitale të Ballkanit Perëndimor dhe harmonizimit me politikat digjitale të BE-së.
“Duke ndarë praktikat më të mira, duke harmonizuar rregulloret dhe duke investuar në infrastrukturën ndërkufitare, mund të përshpejtojmë kolektivisht transformimin digjital në të gjithë vendet e Evropës Juglindore”, ka thënë ministri për Transformim digjital.
Ai shtoi se transformimi digjital duhet të ndërtohet mbi tre shtylla.
"Transformimi digjital duhet të ndërtohet mbi tre shtylla: lidhshmëria, siguria kibernetike dhe inkluziviteti. Nëse i sigurojmë të triat, do të krijojmë një Maqedoni më konkurruese, më inovative dhe më të përgatitur për të ardhmen", ka thënë mes tjerash Andonovski.
Foto: Ministria e Transformimit Digjital