• e shtunë, 27 korrik 2024

Ambasadorja gjermane Dreksler u njoh nga afër me punën e ITSHKSH-së

Ambasadorja gjermane Dreksler u njoh nga afër me punën e ITSHKSH-së

Shkup, 4 mars 2024 (MIA) – Ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z.Petra Dreksler sot e ka vizituar Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me ç’rast nga drejtori, prof.dr. Skender Asani është njoftuar mbi shumë aspekte të funksionimit të këtij Institutit, duke bërë edhe një kronologji të shkurtër që nga themelimi e deri më sot.

Drejtori Asani ka potencuar gjithashtu disa nga arritjet e deritanishme, përfshi hapjen e 18 departamenteve hulumtuese-shkencore, me theks të posaçëm përkushtimi për mbrojtjen e trashëgimisë së Nënës Terezë, si dhe edukimi dhe hulumtimi mbi Holokaustin. Në kontekstin e këtyre të arriturave, drejtori Asani e njoftoi Ambasadoren Dreksler edhe zyrtarizimin e gjashtë qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe qendrës dokumentare-multimedielae dhe të mërgatës.

Ambasadorja Dreksler, nga ana e saj, e përgëzoi drejtorin për kontributin e Institutit në krijimin e urave lidhëse mes kulturave të ndryshme dhe në punën hulumtuese të departamenteve, duke veçuar me këtë rast edhe nxjerrjen në dritë të botimeve të cilat e zbardhin historinë si dhe për përpjekjet për të kultivuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e frytshëm mes komuniteteve të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Duke uruar që mbështetja dhe bashkëpunimi me Gjermaninë të vazhdojë, drejtori Asani në fund të takimit ia dhuroi ambasadores një përzgjedhje të botimeve të Institutit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR