• e martë, 16 korrik 2024

Ambasadori shqiptar Meidani për vizitë në Dibër

Ambasadori shqiptar Meidani për vizitë në Dibër

Dibër, 15 korrik 2024 (MIA) - Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Denion Meidani, sot ishte për vizitë në Dibër, ku fillimisht kishte takim me kryetarit Hekuran Duka dhe bashkëpunëtorët e tij.
 
Pas takimit, Duka u shpreh i kënaqur për, siç tha, takimin e përzemërt dhe vëllazëror me ambasadorin, për të cilin kjo është vizita e tij e parë në këtë qytet, pas mbërritjes së fundit në Ambasadën në Shkup.

"Kemi diskutuar për disa çështje me interes të ndërsjellë, si komunë kufitare dhe e kemi njohur me disa probleme me të cilat ballafaqohemi si komunë, të cilat kanë të bëjnë edhe me komunat në anën tjetër të kufirit. Jemi zona të afërta, ndaj është i nevojshëm bashkëpunimi. Theksin kryesor e kemi vënë tek nevoja që vendkalimin  kufitar “Blato” të fillojë të funksionojë me kontroll të përbashkët, siç funksionon për shembull në vendkalimin kufitar "Qafthanë". Kjo do mundësojë liberalizimin sa më të mirë të ideve, mallrave dhe lëvizjen më të lirë të qytetarëve", tha ndër të tjera Duka.

Në takim u diskutua edhe për aplikimin për projekte të përbashkëta për mjete nga BE-ja, qëllimi i të cilave do të ishte përmirësimi i mirëqenies së banorëve, si dhe hapja e një qendre blerëse për prodhime bujqësore.

Ambasadori, i shoqëruar nga kryetari i komunës dhe kryetari i Këshillit Bashkiak Fuat Spahiu, vendosi lule të freskëta në monumentin e Skënderbeut, si dhe vizitoi muzeun etnologjik të qytetit. ls/

Foto: MIA 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR