• e hënë, 23 dhjetor 2024

Albin Kurti dhe Çedomir Jovanoviqi biseduan në Prishtinë për "nevojën e shtetit të së drejtës" në rajon

Albin Kurti dhe Çedomir Jovanoviqi biseduan në Prishtinë për

Prishtinë, 4 dhjetor 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pritur mbrëmë liderin e Partisë Liberal Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, me të cilin ka biseduar për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Serbi dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, kumtoi kabineti i Kurtit. 

Siç njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina, në kumtesë thuhet se kryeministri i Kosovës dhe politikani i opozitës serbe kanë folur edhe “për nevojën e forcimit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e demokratizimit të shoqërive dhe institucioneve, pluralizmin politik, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare si garantues të paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”.

Gjatë kthimit për në Serbi pas qëndrimit në Prishtinë, Jovanoviq mbrëmë nga vendkalimi kufitar Merdare njoftoi në platformën "X", ish Tuiter përmes një video-klipi se me Kurtin njihet tash e 30 vjet. 

"Gjithçka kemi kaluar në jetë edhe ai edhe unë. Pas këtyre bisedimeve, unë besoj se gjaku që u derdh në Banjskë (në veri të Kosovës, më 24 shtator) është gjaku i fundit i derdhur në konfliktin mes popullit serb dhe shqiptar të Kosovës... dhe se ajo është çmimi i fundit të cilin e paguajmë për atë keqkuptim historik mes dy popujve tanë", tha Jovanoviq, duke porositur se “për Kosovën (në Serbi) nuk duhet të heshtet, duhet thënë e vërteta duhet marrë një rrugë tjetër”.

Videon politikani serb e ka përcjellë me një koment në formën e një citimi nga “pjesa jozyrtare” e takimit me kryeministrin e Kosovës.

"Kurti: "A është Beogradi interesant dhe i bukur sa kur ishim studentë?" Unë: "Dhe më interesant dhe më i bukur, shumë... si edhe Prishtina!", ka cituar Jovanoviq një pjesë të bisedës me Kurtin. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR