• e premte, 05 korrik 2024

Ahmeti: Zgjedhja e presidentit në Kuvend është për konsensualitet më të madh dhe më pak shpenzime të mjeteve buxhetore

Ahmeti: Zgjedhja e presidentit në Kuvend është për konsensualitet më të madh dhe më pak shpenzime të mjeteve buxhetore

Tetovë, 22 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka mbajtur edhe konferencë shtypi për pyetje shtesë nga mediat pas video fjalimit të sotëm nga selia e partisë. Ahmeti në video fjalimin shpalosi se Bujar Osmani do të jetë kandidat për president, promovoi sloganin “JO për Rusinë, PO për Evropën” dhe se pas zgjedhjeve BDI do të angazhohet për ndryshime kushtetuese konform asaj që presidenti dhe zëvendëspresidenti të zgjidhen me 2/3 e shumicës së votave të deputetëve në Kuvend.

Ai shpjegoi se ideja për presidentin nuk është e re, por se daton që nga programet e tyre 2016 dhe 2020.

“Ideja për presidentin që të zgjedhet në Kuvend është që nga viti 2016, mandej dhe në vitin 2020. Ne i përcjellim të gjitha zhvillimet ndaj angazhohemi që të kemi sa më shumë afërsi dhe të krijohet një ambient sa më produktiv për shtetin, që presidenti të zgjidhet në Kuvend dhe të këtë dhe zëvendëspresident, me këtë hap ne do arrijmë të kursejmë dhe thesarin e shtetit sepse natyrisht vetëm për një cikël zgjedhor duhen miliona euro. Pra, efekti është me mesazh pozitiv që do të ndikoi edhe tek të gjithë bashkësitë”, deklaroi Ahmeti.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ka pasur koordinim me partitë e tjera nga blloku shqiptar të cilët kanë kandidat për president tha se në programet e vitit 2020 dhe 2016 shpjegohet në detaje se si duhet të zgjidhet presidenti dhe nuk ka çfarë të thuhet më shumë.

I pyetur se pse nuk i është përgjigjur kërkesës së Taravarit për të qenë kundërkandidat i tij për president, Ahmeti tha se e falënderon për ofertën por se luan në Super ligë, ndërsa Taravari luan lokalisht. Gazetarët e pyetën nëse Taravari futet në raundin e dytë, a do të thotë kjo se do ta bojkotojnë, Ahmeti tha se bojkoti nuk është mjet i demokracisë dhe nuk diskutohet për këtë.

Sipas Ahmetit, ideja për zgjedhjen e presidentit deri tani nuk është realizuar sepse ka pasur analiza.

"Jemi në komunikim të vazhdueshëm me miqtë tanë dhe me të gjithë të tjerët që kontribuojnë, për mendimet e tyre, sugjerimet, analizat e tyre për ta ndarë këtë proces. Prandaj kur bëhen hapat, bëhen një nga një. Shkojmë drejt realizimit të qëllimit tonë", ka thënë Ahmeti.

Për kandidatin e tyre për president Bujar Osmani, Ahmeti tha se do të jetë nder për Republikën e Maqedonisë së Veriut që të mbështetet ai.

"Do të jetë nder për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të gjithë ne duhet të mbështesin një personalitet të kalibrit evropian, siç është Bujar Osmani i cili me dinjitet ka përfaqësuar shtetin, ka menaxhuar përballje shumë të forta në këtë rast edhe me Rusinë, dhe pres përkrahje sepse është një kalibër dhe personalitet i mirfilltë për ta përfaqësuar shtetin si president”, tha ai.

Për presidentin e deritashëm, Pendarovski tha se kemi bashkëpunuar dhe komunikuar, për çka e falënderon për mandatin e kaluar dhe i uron shëndet dhe suksese në të ardhmen. 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR