• e premte, 05 korrik 2024

Ahmeti: Nuk mundet secili që merr mandat, të vendosë se kush do t'i përfaqësojë shqiptarët në qeverinë e re

Ahmeti: Nuk mundet secili që merr mandat, të vendosë se kush do t'i përfaqësojë shqiptarët në qeverinë e re

Gostivar, 5 qershor 2024 (MIA) - Kundërshtarët tanë politikë le të përgatiten për sfidën e re që vijon në vitin e ardhshëm në zgjedhjet lokale, theksoi Ali Ahmeti lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në manifestimin me rastin e 22-vjetorit të formimit të kësaj partie politike, në paraqitjen kushtuar trazirave aktuale në bllokun shqiptar pas zgjedhjeve parlamentare. 

"Secili mund të marrë mandat të formojë qeveri, por nuk mundet secili që e merr mandatin të vendosë se kush do t'i përfaqësojë shqiptarët në atë qeveri", tha Ahmeti, duke aluduar në VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin VLEN prej ku paralajmëruan formimin e qeverisë së re.

Ahmeti mbajti një fjalim të gjatë para anëtarëve të partisë dhe shumicës së funksionarëve në restorantin "Albis i Ri" në Banjicë të Poshtme të Gostivarit. Pjesën e parë ia kushtoi arritjeve të kësaj partie politike gjatë dy dekadave të veprimtarisë. Ai ka numëruar thuajse të gjitha ciklet zgjedhore në të cilat siç theksoi kanë fituar. Nga proceset shoqërore në të cilat patën ndikim, përveç ndryshimeve kushtetuese, anëtarësimit në NATO, nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, përdorimin e gjuhës shqipe në institucione dhe në jetën publike, pjesëmarrjen e shqiptarëve në vendimmarrje në pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor u theksuan si më të rëndësishme. Sipas Ahmetit, BDI arriti të imponohej dhe të merrte poste të rëndësishme ministrore dhe siç tha kryeministrin e parë shqiptar.

Në pjesën e dytë Ahmeti bashkëpartiakëve u foli për situatën aktuale duke iu referuar edhe thirrjeve të disa liderëve të caktuar të partive për përgjegjësi dhe përfshirje në korrupsion të kuadrove të BDI-së dhe publikisht kërkoi që institucionet adekuate të fillojnë procedura. 

"Shtatë vjet po përpiqen të na njollosin dhe të merren me BDI-në. I bëj thirrje autoriteteve që të nisin hetimet për të gjithë ata që kanë qenë në pozita drejtuese, duke filluar nga unë", tha Ahmeti. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR