• e diel, 22 dhjetor 2024

Ademi: Siljanovska Davkova në fjalimin e ka shkelur Kushtetutën dhe nuk tha asgjë për eurointegrimet

Ademi: Siljanovska Davkova në fjalimin e ka shkelur Kushtetutën dhe nuk tha asgjë për eurointegrimet

Shkup, 12 maj 2024 (MIA) - Koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Arbër Ademi sot në konferencë për shtyp pas inaugurimit në Kuvend të presidentes së re të Shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, vlerësoi se ajo e ka shkelur Kushtetutën gjatë dhënies së betimit të saj, ka bërë thirrje në unitet, ka përmendur vetëm dy liderë të partive dhe nuk ka thënë asgjë thelbësore dhe nuk është përqëndruar në eurointegrimet.

"Shprehim keqardhje për fjalimin e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. E ka shkelur Kushtetutën që në fjalinë e parë, duke mos përmendur Republika, as Republika e Maqedonisë së Veriut, me të gjitha implikimet që i ka ajo. Tha koha është për unitet, e ka përmendur vetëm dy liderë nga blloku maqedonas, duke i lënë anash të gjithë të tjerët", tha Ademi.

Sipas tij, presidentja e re në fjalimin e saj nuk ka thënë asgjë thelbësore, duke theksuar se Siljanovska Davkova nuk është përqëndruar në procesin eurointegrues të vendit dhe sfidat e tij.

"Ishte fjalim për 8 mars, pa asgjë thelbësore, as nuk është përmendur NATO-ja dhe anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe të gjitha sfidat që na presin, as nuk tha një fjalë për Bashkimin Evropian dhe proceisn eurointegrues të vendit me të gjitha sfidat që na presin. Nuk tha asnjë fjalë për kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, as për Marrëveshjen e Prespës, as për Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republkikën e Bullgarisë, as për ndryshimet kushtetuese", tha Ademi.

Thotë se në fjalimin nuk kanë munguar apostrofimi i grave lidere, të cilat ia uruan zgjedhjen dhe potencoi se urimi i presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me qëllim nuk është përmendur në fjalimin e saj.

"Me qëllim nuk e ka përmendur urimin e presidentes së Republikës së Kosovës për zgjedhjen e saj, edhe pse nuk mungon apostrofimi i grave lidere, të cilat ia uruan zgjedhjen. Me fjalinë e saj të parë tashmë ka krijuar krizë mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë", tha Ademi.

Siljanovska Davkova në fjalimin e saj para deputetëve të pranishëm në Kuvend, korit diplomatik, si dhe përfaqësuesve të jetës politike dhe shoqërore, tha se do të bëhet presidente e të gjithë qytetarëve dhe nuk do të bëjë dallim mes tyre sipas përkatësisë etnike, fetare, gjinore ose tjetër. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR