BE-ja dhe Australia arritën marrëveshje historike për tregtinë e lirë dhe partneritetin në mbrojtje
- Bashkimi Evropian dhe Australia i finalizuan negociatat për Marrëveshjen e tregtisë së lirë, publikuan sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryeministri australian Entoni Albaneze.
Kanberra, 24 mars 2026 (MIA) - Bashkimi Evropian dhe Australia i finalizuan negociatat për Marrëveshjen e tregtisë së lirë, publikuan sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryeministri australian Entoni Albaneze.
Ky akt paraqet një kulminacion të negociatave të cilat zgjatën tetë vite. Qëllimi kryesor i marrëveshjes është heqja e plotë e tarifave dhe barrierave tregtare, me çka do të mundësohet një nxitje e konsiderueshme e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve mes dy palëve.
Rrumbullakimi i këtij procesi është pjesë e strategjisë së Brukselit për diversifikimin e partnerëve tregtar në periudhën e tensioneve të përforcuara me Kinën për shkak të rregullave të tregut, por edhe marrëdhënieve të tendosura me SHBA-në nën presidencën e Donald Trampit, citon agjencia gjermane DPA.
Marrëveshja e reflekton edhe interesin e përforcuar të Evropës për rajonin Indo-Paqësor, duke u bazuar në marrëveshje të ngjashme të lidhura me Indonezinë në shtator dhe me Indinë në janar.
"Sot po bëjmë histori në një botë që po kalon ndryshime të thella - një botë në të cilën forcat globale i shfrytëzojnë tarifat si llost për shtypje, ndërsa zinxhirët e furnizimit si pika të dobëta për eksploatim.
Në këtë tregimin tonë të ri, tregtia e hapur e bazuar në rregulla sjell rezultate pozitive, sepse besimi është më i rëndësishëm nga vetë marrëveshjet, deklaroi Fon der Lajen para gazetarëve në Kanberra.
Paralelisht me pjesën tregtare, Albaneze dhe Fon der Lajen e prezantuan edhe partneritetin e ri strategjik për siguri dhe mbrojtje. Sipas kumtesës së qeverisë australiane, ky bashkëpunim do të përfshijë përforcimin e industrisë mbrojtëse, sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë ekonomike, luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha format e urrejtjes, si dhe përgjigje të përbashkët të kërcënimeve hibride.
Që marrëveshja të hyjë zyrtarisht në fuqi, duhet të miratohet nga vendet anëtare të BE-së, Parlamenti Evropian dhe Parlamenti i Australisë. sa/
foto: EPA