Zyrtare: Modriqi largohet nga Real Madridi
- Real Madridi ka konfirmuar sot se Luka Modriq do të largohet nga skuadra në fund të sezonit.
- Post By Fami Bajrami
- 17:03, 22 maj, 2025
Madrid, 22 maj 2025 (MIA)- Real Madridi ka konfirmuar sot se Luka Modriq do të largohet nga skuadra në fund të sezonit.
Mesfushori kroat ndeshjen e fundit në stadiumin “Bernabeu” do ta luajë të shtunën ndaj Real Sosiedadit, ndërsa do të largohet pas Kupës së botës për klube.
“Real Madridi dhe kapiteni Luka Modriq janë pajtuar që ta mbyllin periudhën e paharrueshme në fund të Kupës së botës për klube ku skuadra jonë do të luajë prej 18 qershorit në SHBA”, ka shkruar ndër të tjera klubi madrilen.
Largimin e ka bërë të ditur edhe vetë mesfushori kroat.
“Të dashur tifozë të Madridit. Koha ka ardhur. Momenti që nuk doja të vijë kurrë, por ky është futbolli dhe në jetë çdo gjë e ka fillimin dhe fundin. Të shtunën do ta luajë ndeshjen e fundit në Santiago Bernabeu”, është shprehur Modriqi.
Tridhjetë e nëntë vjeçari ka zhvilluar gjithsej 590 ndeshje për gjigantin spanjoll, ndërsa ka shënuar 43 gola që kur u transferua nga Totenhemi në vitin 2012.
Ai u bë edhe lojtari më i dekoruar në historinë e Real Madridit, duke fituar ndër të tjera katër tituj në La liga dhe gjashtë Liga të kampionëve mes 28 trofeve që i ka me klubin mbretëror pas 13 vjetësh.
Në vitin 2018 ai u bë fitues i “Topit të artë” me Real Madridin dhe poashtu udhëhoqi Kombëtaren kroate në suksesin që arriti në Kampionatin botëror ku u shpallën nënkampionë të botës.