• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Zyberi: Institucionet nuk i respektojnë në tërësi rekomandimet e Avokatit të Popullit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë në sektorin publik (PLT)

Zyberi: Institucionet nuk i respektojnë në tërësi rekomandimet e Avokatit të Popullit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë në sektorin publik (PLT)

Shkup, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Avokati i Popullit Naser Zyberi sot e prezantoi Raportin special për monitorimin e zbatimit të parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në sektorin publik dhe Raportin special nga analiza e të dhënave për përfaqësimin gjinor dhe arsimor  për vitin 2022.

"Konstatimi i Avokatit të Popullit është se pothuajse të gjitha komunitetet më të vogla janë të përfaqësuara me një përqindje pothuajse identike të të punësuarve si edhe në vitet e kaluara, që do të thotë se institucionet nuk i respektojnë në tërësi rekomandimet e Avokatit të Popullit, ndërsa me atë edhe nuk i zbatojnë planet e miratuara vjetore për punësim  në të cilat është  shprehur përfaqësimi etnik dhe zbatimi i parimit kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë", tha Zyberi.

Për nevojat e këtij hulumtimi, siç theksoi, janë dorëzuar kërkesa në gjithsej 1325 institucione dhe organe, pas së cilës për herë të parë këtë vit, janë marrë përgjigje nga të gjitha ata në formë elektronike.

"Në paraqitjen tabelare të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik, mund të konstatohet se në vitin 2022, ka një ulje të numrit të të punësuarve dhe në nivel të përgjithshëm është ulur me 3.722 persona në krahasim me vitin e kaluar, kur numri i përgjithshëm i të punësuarve ishte 134.099 persona, ndërsa tani ai numër është 130.377 persona", njoftoi Zyberi.

Në krahasim me vitin e kaluar, Zyberi tha se këtë vit në përgjithësi është vërejtur rënie e numrit të të punësuarve nga bashkësia maqedonase për 0,9 për qind, kur ai ishte i përfaqësuar me 71,9 për qind, ndërsa në rastin e bashkësisë shqiptare në vitin 2022 është vërejtur rritje e numrit të të punësuarve në sektorin publik me 0,8 për qind, për dallim nga viti i kaluar kur ai përfaqësohej me 20,6 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve.

Zyberi tha se bashkësia shqiptare sot është e përfaqësuar me  21,4 për qind, përderisa, bashkësia turke shënon rritje prej 0,1 për qind në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në administratën publike, për dallim nga viti i kaluar kur numri i tyre ishte 2,0 për qind, sot është 2,1 për qind. 

"Veçanërisht dua të theksoj shqetësimin për moszbatim të këtij detyrimi kushtetues dhe ligjor në sektorin e shëndetësisë", gjegjësisht 17 për qind shqiptarë, vetëm 1,5 për qind turq, 1 për qind romë dhe 0,6 për qind vllehë", theksoi Zyberi.

Ai shtoi se konkluzionet e vitit të kaluar për gjendjen e pafavorshme mbeten edhe këtë vit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Penale, Gjykatën e Apelit Shkup, Prokurorinë Themelore Publike Shkup, Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, ASHAM, muzetë, Shërbimin e Përgjithshëm dhe Çështjet e Përbashkëta, Shoqëria Aksionare për Ekonomizim me Hapësira Banesore dhe Afariste, MEPSO, Agjencia e Filmit, Agjencia e Administratës, Agjencia e Energjetikës, si dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Evropian.

Sa i përket të dhënave të grumbulluara për përfaqësim gjinor dhe arsimor, Zyberi tha se nga gjithsej 130.377 të punësuar në sektorin publik, 66.303  janë burra, gjegjësisht 50,85 për qind, përderisa 64.074 janë gra ose 49,15 për qind. 

Raporti paraprak i bërë për vitin 2021, Zyberi thotë se ka treguar se nga gjithsej 134.099  të punësuar në subjektet publike të anketuara, 69.014 janë burra, gjegjësisht 51,46 për qind, përderisa 65.085  janë gra ose 48,54  për qind. 

“Kjo paraqitje e situatës nënkupton progres të vogël në arritjen e barazisë gjinore ndërmjet grave dhe burrave, që në përqindje është një rritje prej 0,61 për qind krahasuar me vitin 2021, kur gratë përfaqësoheshin me 48,54 për qind", tha Zyberi.

Në lidhje me personat e zgjedhur dhe të emëruar, Zyberi theksoi se përfaqësimi i gjinisë femërore në institucione është 43,10  për qind, përderisa gjinia mashkullore është përfaqësuar me 56,90 për qind. 

“Këtë vit raporti në punët jo udhëheqëse është përmirësuar pak, ku përfaqësimi i gjinisë femërore është 58,677, gjegjësisht 49,34 për qind, ndërsa përfaqësimi i gjinisë mashkullore është 60,255, ose 50,66 për qind", tha Zyberi.

Edhe krahas kësaj situate të konstatuar, Zyberi potencoi se konkluzioni është se është më i vogël numri i grave të punësuara në krahasim me burrat, ndërsa numri i tyre është më i vogël edhe në vendet udhëheqëse të punës. 

Numri më i madh është vetëm i grave me arsim të lartë në sektorin publik në krahasim me burrat, por megjithatë siç tha Zyberi, burrat janë më të shumtë në krahasim me gratë si persona të zgjedhur dhe të emëruar, por edhe në vendet udhëheqëse të punës. ar/fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR