Zjarret në Shqipëri nuk po shuhen, më kritike në Delvinë dhe Finiq, opozita kërkon shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme
- Shqipëria po përballet me një situatë serioze, të jashtëzakonshme me zjarret që vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin.
Tiranë, 13 gusht 2025 (MIA) - Shqipëria po përballet me një situatë serioze, të jashtëzakonshme me zjarret që vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 64 zjarre, nga të cilat 24 janë ende aktive. Kërcënimi më i madh paraqitet nga zjarret në rrethin e Vlorës, në zonën e Delvinës dhe Finiqit, ku pavarësisht të gjitha përpjekjeve, zona e prekur vazhdon të zgjerohet drejt Gjirokastrës.
Prandaj, Ministria e Mbrojtjes lëshoi një urdhër këtë pasdite për evakuimin e banorëve dhe bagëtive nga disa fshatra. Tetë fshatra në këtë zonë janë djegur plotësisht, ndërsa banorët janë strehuar në një shkollë me konvikt në qytet.
Opozita shqiptare ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke akuzuar qeverinë për "angazhim të pamjaftueshëm dhe dështim për të siguruar kanaderë".
Delegacioni i BE-së në Tiranë njoftoi sot se "BE-ja qëndron në solidaritet me zjarrfikësit e guximshëm shqiptarë që po luftojnë me zjarret në të gjithë vendin, si dhe me familjet, shtëpitë dhe mjetet për jetesë të të cilëve u shkatërruan".
Përmes Mekanizmit për mbrojtje civile të BE-së, solidariteti evropian është në terren: aeroplanë dhe helikopterë zjarrfikës nga Kroacia, Suedia, Italia, Greqia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia po luftojnë krah për krah me ekipet shqiptare”, theksoi Delegacioni i BE-së në një postim në rrjetet sociale.
Delegacioni i BE-së u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të shmangin çdo aktivitet që mund të paraqesë rrezik për fillimin e zjarreve të reja.
Ndërkohë, Ambasada amerikane në Tiranë u bëri thirrje qytetarëve të saj të shmangin zonat ku po përhapen zjarre dhe të kontaktojnë ambasadën për çdo nevojë. ls/
Foto: FB i Ministrisë së Mbrojtjes