• e shtunë, 23 nëntor 2024

Zheljaskov: Besojmë se do t'i miratoni ndryshimet kushtetuese dhe këtë vit do të presim me padurim fillimin e negociatave me BE-në

Zheljaskov:  Besojmë se do t'i miratoni ndryshimet kushtetuese dhe këtë vit do të presim me padurim fillimin e negociatave me BE-në

Shkup, 14 nëntor 2023 (MIA) - Qëndrimi i Bullgarisë është për pranim të Republikës së Maqedonisë së Veirut në BE pa alternativë. Burrështetasit mendojnë për brezat e ardhshëm, ndërsa politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Besojmë se mendja dhe vullneti politik do të mbisundojnë dhe këtë vit do të mund të presim  me padurim  fillimin e negociatave me BE-në. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria së bashku të ecin në këtë rrugë.

Këtë e tha kryetari i Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë Rosen Zheljaskov në një deklaratë për mediat pas takimit me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.

Ai përshëndeti dhe falënderoi deputetët e Maqedonisë për, "qëndrimin e qartë të shprehur lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe konsolidimin e shumicës së qartë për ndryshimet kushtetuese".

"Është e qartë se ka shumicë por nuk mjafton për momentin, por, siç ndava një mendim që burrështetasit mendojnë për brezat e ardhshëm, ndërsa politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Për ne është e rëndësishme që qëndrimi i Bullgarisë është për pranim pa alternativë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE. Në atë kuptim vitin e kaluar Parlamenti bullgar miratoi një deklaratë me të cilën miratoi propozimin francez, disa e quajtën një kompromis historik, por dy vendet tona e bënë kompromisin e domosdoshëm, ai kompromis është në emrin e popujve tanë dhe në atë kuptim qëndrimi bullgar nuk është më ndryshe nga qëndrimi i shumicës të cilin e ndajnë shumica në Kuvendin e Maqedonisë", theksoi Zheljaskov.

Ai informoi se me Xhaferin kanë biseduar edhe për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017 dhe ka shprehur shpresën se takimi i ardhshëm do të shënojë ndryshimet kushtetuese dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.

"Theksuam se besimi që duhet të ndërtojmë duhet të jetë kundër gjuhës së urrejtjes, dhe garanci për këtë është respektimi efektiv i të drejtave të komunitetit bullgar dhe ndryshimet kushtetuese janë pjesë e kësaj rruge. Është e rëndësishme që ne të dimë se për Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç asaj evropiane dhe u bëj thirrje mediave të harrojnë disa narrativa, sepse shkëndija e tensionit ndizet shumë lehtë në Ballkan, por ne popujve tanë, u detyrohemi një të ardhme të përbashkët evropiane dhe një ekzistencë paqësore në këtë botë plot tensione. Prandaj vizita jonë e sotme është shprehje e synimeve tona më të mira, e miqësisë sonë, sepse e ardhmja jonë është përkushtimi ynë ndaj brezave të ardhshëm", theksoi Zheljaskov.

Ai po ashtu ka falënderuar kryetarin Xhaferi për, siç tha, "qëndrimin e tij të urtë dhe parimor dhe uroj që të gjithë politikanët në Maqedoni ta ndjekin atë shembull". sa/

QËNDRONI TË LIDHUR