• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski: Po negocioj për një “mega- marrëveshje” me Trampin

Zelenski: Po negocioj për një “mega- marrëveshje” me Trampin

Kiev, 17 korrik 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp dhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski janë në negociata për një marrëveshje të madhe që do të përfshijë shkëmbimin e teknologjisë ushtarake - SHBA do të blejë dronë ukrainas që janë testuar në fushën e betejës, ndërsa Ukraina do të detyrohet të blejë sasi më të mëdha të armëve amerikane, tha Zelenski në një intervistë ekskluzive për "Nju jork post".

Siç shpjegoi ai, marrëveshja do të mundësonte forcimin e ndërsjellë të teknologjisë së aviacionit të të dyja vendeve, derisa Kievi do të ndante me Uashingtonin të gjitha njohuritë rreth luftës moderne të fituar gjatë më shumë se tre viteve të invazionit të plotë të Rusisë në Ukrainë.

Zelenski ka thënë për “Nju jork post" se një marrëveshje e tillë do të ishte një kthesë për ushtrinë dhe sigurinë kombëtare amerikane, duke pasur parasysh paralajmërimet nga ekspertët se teknologjia amerikane e dronëve mbetet prapa asaj të Rusisë dhe Kinës dhe se ushtarët amerikanë nuk janë të trajnuar mjaftueshëm për t'i përdorur ato ose për t'u mbrojtur nga pajisjet e sofistikuara të armikut.

“Populli amerikan ka nevojë për këtë teknologji, doemos ta keni në arsenalin tuaj”, tha Zelenski duke iu referuar dronëve të fundit ukrainas që arritën të depërtojnë në mbrojtjen ajrore ruse dhe të godasin caqe deri në 1.300 kilometra në territorin rus.

"Mendoj se kjo është vërtet një ‘mega-marrëveshje’, një fitore për të dyja palët", shtoi presidenti ukrainas.

Foto: arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR