Zelenski paralajmëroi një ligj të ri për të forcuar pavarësinë e institucioneve antikorruptuese
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski njoftoi se ka miratuar një projekt-ligj që forcon pavarësinë e institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe njoftoi se dokumenti do t'i paraqitet sot Radës Supreme (parlamenti ukrainas), raportoi Ukrinform, duke cituar një njoftim të presidentit në Telegram.
- Post By Sara Ademi
- 17:45, 24 korrik, 2025
Kiev, 24 korrik 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski njoftoi se ka miratuar një projekt-ligj që forcon pavarësinë e institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe njoftoi se dokumenti do t'i paraqitet sot Radës Supreme (parlamenti ukrainas), raportoi Ukrinform, duke cituar një njoftim të presidentit në Telegram.
"Sapo kam miratuar tekstin e një ligji që garanton forcimin e vërtetë të sundimit të ligjit në Ukrainë, pavarësinë e institucioneve për luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të besueshme nga çdo ndikim ose ndërhyrje ruse. Teksti është i balancuar", shkroi Zelenski.
Ai theksoi se është më e rëndësishmja që organet kundër korrupsionit – Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAP) – të kenë instrumentet e duhura, të mos kenë lidhje ruse dhe të mbeten plotësisht të pavarura.
"Është e rëndësishme të ruhet uniteti. Është e rëndësishme të ruhet pavarësia. Është e rëndësishme të respektohet vullneti i popullit ukrainas dhe ne jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që mbështesin Ukrainën", shtoi presidenti ukrainas.
Pavarësisht njoftimit, aktualisht nuk dihet se kur parlamenti do ta shqyrtojë ligjin e ri, veçanërisht duke pasur parasysh se ligjvënësit pritet të largohen për pushime verore këtë javë.
Propozim-ligji vjen pas një sërë polemikash: më 22 korrik, parlamenti miratoi një ligj që kufizon kompetencat e NABU-së dhe SAP-it, të cilin Zelenski e nënshkroi po atë ditë. Ligji ka shkaktuar një stuhi reagimesh - disa deputetë tashmë po mbledhin nënshkrime për të paraqitur një nismë në Gjykatën Kushtetuese të Ukrainës, ndërsa protestat kanë vazhduar në Kiev dhe qytete të tjera për dy ditë.
Kritikët e masave paralajmëruan se zgjidhja e re ligjore e vendos sistemin antikorrupsion nën kontrollin e një prokurori të emëruar nga Zelenski, duke ngritur çështjen e ndikimit politik në institucionet e pavarura. Zyrtarët evropianë e kanë kritikuar publikisht vendimin për të zvogëluar autonominë e NABU-së dhe SAP-it.
Zelenski tha dje se kishte zhvilluar takime me krerët e institucioneve kundër korrupsionit dhe të sigurisë dhe u kishte dhënë atyre dy javë kohë për të përgatitur rekomandime specifike përpara se ligji i ri të paraqitej në parlament. Por sot ai nuk specifikoi nëse do ta tërhiqte ligjin e mëparshëm që kufizonte kompetencat e organeve kundër korrupsionit, as nuk njoftoi detajet e propozimit të ri.
Në Kiev sonte priten protesta të reja në rrugë. sa/
foto: arkivi