• e hënë, 23 dhjetor 2024

Xhaferi: Me rrethanat gjeopolitike të ndryshuara, nevojitet përshpejtim i eurointegrimit të Ballkanit Perëndimor

Xhaferi: Me rrethanat gjeopolitike të ndryshuara, nevojitet përshpejtim i eurointegrimit të Ballkanit Perëndimor

Shkup, 17 nëntor 2023 (MIA) - Faza finale e procesit të aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili zgjat tani më 17 vite ka filluar dhe për ne është me rëndësi të veçantë të vazhdojmë të përparojmë në rrugën evropiane. Duke i pasur parasysh gjendjet aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, sidomos rrethanat e ndryshuara gjeopolitike, nevoja për përshpejtimin e eurointegrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi shumë të madhe, theksoi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në Takimin e 11-të të kryetarëve të Parlamenteve nga vendet e Evropës Juglindore për zgjerimin e BE-së, i cili mbahet në Budapest.

Mbajtja e këtij takimi të nivelit më të lartë parlamentar, i organizuar nga Asambleja Kombëtare e Hungarisë dhe Presidenti Lazlo Kover, sipas Xhaferit, është një tjetër dëshmi e përpjekjeve të Hungarisë në dekadat e fundit për integrimin e plotë evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

"Në drejtim të hapave konkret të eurointegrimit, në rrjedhë është përfundimi i fazës së skriningut të legjislacionit tonë, dhe është konstatuar nivel i lartë i harmonizimit me legjislacionin evropian. Skriningu nuk është vetëm operacion teknik, por edhe proces transformues i cili ka të bëjë me të gjitha segmentet e shoqërisë", theksoi Xhaferi.

Në takimin me temën "Procesi i integrimit evropian në Evropën Juglindore"  kryetari i Kuvendit përkujtoi se tashmë kaluan më shumë se 20 vite nga samiti i parë në Selanik në të cilin u konkludua se të gjtiha vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, pas plotësimit të Kritereve të Kopenhagës.

"Republika e Maqedonisë së Veriut mori vendime të vështira, duke marrë parasysh të ardhmen e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë ishte mënyrë e ndërtimit të besimit në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe ne ishim dhe mbetemi të përkushtuar për zbatimin e saj", tha Xhaferi.

Ai kumtoi se menjëherë para ardhjes së tij në Budapest ka pasur nder të jetë nikoqir i kryetarit të Asamblesë Popullore të Republikës së Bullgarisë Rosen Zheljakov.

"Tashmë po takohemi për të tretën herë këtë vit dhe pres që vizitat të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse në këtë mënyrë po dërgojmë mesazhe për bashkëpunim më të madh parlamentar, gatishmëri për bisedë të hapur dhe futje të rrymave të reja e të freskëta në politikën mes dy shtete fqinje", theksoi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. sa/

Foto: Kuvendi

QËNDRONI TË LIDHUR