VLEN-i shpalli fitore në Çair, Saraj, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë dhe Haraçinë
- – Koalicioni VLEN shpalli fitoren në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në disa komuna, në mesin e të cilave Çairi, Saraji, Bogovina, Tearca, Zhelina dhe Haraçina. Sipas zëdhënësit të shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani, rezultatet tregojnë “mbështetje të qartë për politikë të re, të ndershme dhe të përgjegjshme”.
- Post By Fitore Curri
- 23:08, 19 tetor, 2025
Shkup, 19 tetor 2025 (MIA) – Koalicioni VLEN shpalli fitoren në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në disa komuna, në mesin e të cilave Çairi, Saraji, Bogovina, Tearca, Zhelina dhe Haraçina. Sipas zëdhënësit të shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani, rezultatet tregojnë “mbështetje të qartë për politikë të re, të ndershme dhe të përgjegjshme”.
“Sot qytetarët folën haptas, me zë të lirë dhe vetëdije të pastër ata i dhanë fund epokës së një mashtrimi dhe frike, duke e hapur rrugën për politikë të re, të ndershme dhe përgjegjëse afër qytetarëve”, deklaroi Sulejmani në konferencë për media.
Ai i kritikoi ashpër liderët e AKI-së, Ali Ahmetin, Arben Taravarin dhe Ziadin Selën, duke i akuzuar se me muaj kanë tentuar ti mbajnë shqiptarët “peng” përmes nismës për referendum.
“Ata bënë përpjekje ta shndërrojnë frikën në kauzë, mashtrimin në patriotizëm, ndërsa panikun në politikë. Por, shqiptarët nuk u mashtruan. Ata e njohin mirë këtë skenar, e panë shumë herë dhe tani definitivisht e hodhën poshtë”, tha Sulejmani.
VLEN paralajmëroi se në rrethin e dytë do të garojë si favorit në Tetovë, Dibër, Bërvenicë, Dollnen dhe Strugë.
Sulejmani e mbylli konferencën për media me porosi se kjo nuk është fitore e individëve.
“Kjo nuk është fitore e individëve, kjo është fitorja juaj, fitore e njerëzve që zgjodhën dinjitetin mbi frikën, punën mbi fjalët dhe shpresën mbi mashtrimin. Ne në VLEN e kuptojmë këtë porosi si detyrim, përgjegjësi që do ta mbajmë me ndershmëri. Ndryshimi që filloi një vit më parë sonte mori vulën tuaj dhe do të vazhdojë nga nesër edhe më i fortë, më i drejtë dhe më afër popullit", theksoi ai. fc/