VLEN mbajti Konventën në Shkup: Vullneti për ta çuar deri në fund betejën është i madh
- Në një atmosferë impozante dhe prezencë masovike, koalicioni VLEN mbrëmë mbajti Konventën partiake në Shkup ku u prezantuan kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunal.
- Post By Fami Bajrami
- 08:00, 1 tetor, 2025
Shkup, 1 tetor 2025 (MIA)- Në një atmosferë impozante dhe prezencë masovike, koalicioni VLEN mbrëmë mbajti Konventën partiake në Shkup ku u prezantuan kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunal.
Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se jemi mbledhur jo thjesht për Konventë partiake, “por për një betejë morale, kushtrim politik dhe mision kombëtar”.
Mexhiti tha se ekziston një rregull bazë në politikë: mos përdor frikësimin, gjuhën e urrejtjes, mos përçaj, sepse politika nuk është luftë për pushtet personal, por shërbim ndaj qytetarëve dhe përgjegjësi e brezave.
“Prandaj ndaj atyre që kanë mbushur fushatën me frikë, përçarje dhe arrogancë kam një mesazh: mos përdorë frikësimin, sepse shqiptari nuk tutet, mos përdor gjuhën e urrejtjes, sepse shqiptari nuk urren, mos përçaj sepse shqiptarin nuk e përçan dot sado që përpiqesh”, tha Mexhiti, si përgjigje ndaj toneve të opozitës.
Gatë këtyre ditëve, ai tha se ka marrë mesazhe nga çdo cep i vendit, edhe nga diaspora dhe këto mesazhe sipas Mexhitit, bartin një ndjenë të përbashkët: zhgënjimin nga ata që një vit më parë kërcënonin se me uragan do të na rrafshonin me tokë, që shëtisnin me valixhe nëpër Çair dhe e quajtën Çairin, Kandahar.

“Sot me të njëjtën arrogancë guxojnë t’i quajnë shqiptarët zagarë. Por unë dua të them se nuk ua kthejmë prej burrnisë, jo prej tutës, sepse shkupjani nuk tutet, kur e lyp nevoja e le qeverinë e del në mejdan. Prandaj po ju them, jo nuk jemi zagarë, por jemi shqiptarë, nuk jemi as hyzmeqarë as gënjeshtar, jemi njerëz me dinjitet, nuk jemi tradhtarë, nuk e mbështesim Ballkanin e hapur, nuk e njohim Daka Davidoviqin, nuk i kem i shitur aksione bankës serbe, nuk kemi sjell kazinotë serbo- ruse në mesin e shqiptarëve”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai u prit me duartrokitje frenetike në Konventën e VLEN-it në sallën “Boris Trajkovski”, ku theksoi se shqiptarët nuk do të bien më pre e propagandës.

“Unë qëndrova sepse e dija që VLEN nuk është flluskë sapuni që shpërthen me erën e parë. VLEN është gurthemeli mbi të cilin po ndërtojmë të ardhmen tonë”, deklaroi ai.
Fetai kandidatët për kryetarë komunash i quajti “fytyra e shpresës” për shqiptarët kudo që jetojnë.
Ndërkohë, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, solli një mesazh të fuqishëm mbi rrugëtimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kasami rikujtoi momentin e vitit 2016, kur për herë të parë u shpalos ideja e ndryshimit përmes rinisë shqiptare.

“Shumëkush nuk na besoi, shumëkush na nënvlerësoi. Por ja ku jemi sot, me mijëra heronj që sollën ndryshimin e shumëpritur. Ju e mposhtët zullumin, e përmbysët një sistem të kalbur e të korruptuar dhe ndaluat pasurimin e individëve në kurriz të shqiptarëve”, tha Kasami.
Sipas tij, ndryshimi i madh i vitit 2024 ishte zëri i shqiptarëve që kërkuan dinjitet, ndërsa VLEN ishte vetëm shërbëtori i këtij zëri.
Kasami theksoi se përgjegjësia e VLEN është e madhe, por vullneti për ta çuar deri në fund betejën është edhe më i madh: “Siç e çliruam pushtetin qendror nga korrupsioni e abuzimi, ashtu do t’i çlirojmë edhe komunat tona”.
Zeqirija Ibrahimi, mbajti një fjalim emocionues dhe plot krenari para mijëra të pranishmëve. Duke iu drejtuar qytetarëve, ai theksoi se VLEN është lëvizja që në vetëm 15 muaj ua ka rikthyer shqiptarëve krenarinë dhe dinjitetin e mohuar për dekada.

“Sonte jam në këtë skenë që t’ju flas me zemër si VLEN, si shqiptar, si besimtar dhe si dikush që askujt asnjëherë nuk i ka thënë ‘zagar’. Unë i takoj subjektit që shqiptarët i bëri krenarë. Po, jam shumë krenar që nuk vijë në skenë për ta keqpërdorur shqiponjën”, tha Ibrahimi mes duartrokitjeve frenetike.
Ai kujtoi disa nga arritjet madhore të qeverisjes së re: miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, zyrtarizimin e Medresesë Isa Beu, ndarjen e miliona eurove për komunat shqiptare, 2.300 të punësuar shqiptarë dhe 700 të avancuar nëpër institucione.
Shefi i shtabit të përgjithshëm, Adnan Azizi dha një mesazh të qartë: koha e BDI-së ka marrë fund. Ai u zotua se më 19 tetor shqiptarët do të japin verdiktin përfundimtar, duke i mposhtur në çdo komunë.

“BDI-në do ta lëmë veç me Pllasnicën. Në çdo komunë tjetër do të marrim fitore. Shqiptarët nuk janë as zagarë, as horra, por janë të pjekur politikisht dhe dinë të ndëshkojnë me votë”, tha Azizi.
Ai prezantoi edhe disa nga mega-projektet e VLEN-it, duke veçuar Korridorin 8, kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, parkingun në Çarshi, rrugën Tetovë–Prizren, investimet qindramilionëshe në Kodrën e Diellit, si dhe projektet për komuna të pastra, ekonomi të zhvilluar, shkolla, çerdhe dhe terrene sportive.
Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, Bashkim Bakiu në fjalën e tij theksoi se vizioni i tij është kthimi i kryeqytetit në një qytet modern, të gjelbër dhe të hapur për të gjithë. “Shkupi meriton të jetë vendi ku çdo familje ndjehet e sigurt, ku të rinjtë kanë mundësi për arsim, punësim e zhvillim, dhe ku secili banor ka kushte më të mira jetese”, tha ai.

Ai potencoi se kujdesi i ardhshëm i qytetit do të jetë për çdo lagje dhe vendbanim nga Straçinca e Hasanbegu, deri në Luboten e Butel, Shuto Orizare e Vizbeg, por edhe për vendbanimet e harruara si Nerez i Nikishtan. “Nuk do të ketë më diskriminim ndaj Çairit dhe as keqmenaxhim si deri më tani nga Levica, Danella dhe BDI”, theksoi Bakiu.