• e shtunë, 23 nëntor 2024

"VLEN": Interpelanca për kryetarin e Kuvendit është eksperiment anti NATO

Shkup, 7 gusht 2024 (MIA) - Qëndrimi i Koalicionit "VLEN" për interpelancën e parashtruar kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, është se bëhet fjalë për shkaktimin e një tërmeti politik dhe për të testuar shumicën qeveritare. 

Sipas tyre, interpelanca për kryetarin e Kuvendit është eksperiment anti NATO.

"Si në çdo eksperiment politik, ashtu në interpelacën për kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ka elemente të nevojshme eksperimenti. Kërkohet një motiv, siç ishte incidenti në aeroport. Më pas, krijohet në mënyrë të koordinuar një histeri në public, e më vonë në mënyrë pompëzuesë kërkohet përgjegjësi politike. Ndërtohet një konstrukt rreth sigurisë së Kryetarit të Kuvendit. Levica është parashtrues i interpelancës, LSDM-ja e mbështet, ndërsa BDI-ja kërkon alibi për të hyrë hapur në këtë grup dhe për të kaluar nga roli i përkrahësit të heshtur në atë të koordinatorit politik", qëndron në kumtesën e "VLEN".

Nga aty shtojnë se qëllimi, siç thonë, sigurisht që nuk është mbrojtja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën ose e Marrëveshjes së Ohrit.

"Cili është qëllimi? Qëllimi sigurisht që nuk është mbrojtja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën ose e Marrëveshjes së Ohrit. Qëllimi është të shkaktohet një tërmet politik. Pse? Për të testuar shumicën qeveritare dhe për të parë nëse opozita mund të gjejë një interes të përbashkët për të vepruar së bashku", thonë nga "VLEN".

Bëjnë të ditur se deputetët e VLEN-it janë të gatshëm të mbrojnë nderin e popullit shqiptar, partneritetin strategjik me SHBA-në dhe vlerat e BE-së.

"Dilema kryesore është nëse BDI-ja është aq e frikësuar nga ajo që vjen, saqë është e gatshme të koordinohet edhe me LEVICËN vetëm që të mos flitet për krimin e ish-funksionarëve të saj. Koha për të vërtetën po vjen!", potencojnë nga "VLEN".

Grupi parlamentar i partisë E majta në Parlament parashtroi interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi për shkak se "po vendos politika joparimore në Kuvend".

Interpelanca bazohet në shtatë pika, të sqaruara në dhjetë faqe.

Dy pikat e para kanë të bëjnë me shkeljen e laicitetit të shtetit me lutjen grupore në Kuvend të cilën e ka bërë Gashi dhe shkeljen e rregullave diplomatike për sigurimin e personaliteteve VIP me incidentin në Aeroportin e Shkupit para pesë ditëve në të cilën mori pjesë shefi i sigurimit të Gashit. 

Kryetari i partisë E majta, Dimitar Apasiev në konferencë për media tha se pret që kryetari i Kuvendit, Gashi, ta vendosë në rend dite në seancë pas pushimit veror, gjegjësisht në fillim të shtatorit, në mbledhjen e parë të ardhshme pasi të kalojnë 10 ditë pune. 

Përgjegjësi nga Gashi dhe ndërrimin e tij e kërkoi edhe LSDM opozitare. 

VMRO-DPMNE-ja në pushtet, nga ana tjetër, vlerëson se nuk ka nevojë për zëvendësim të kryetarit të Kuvendit, ndërsa akuzat nga LSDM, BDI dhe Levica i vlerëson si tentativë "për të fituar pikë politike".fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR