• e enjte, 04 dhjetor 2025

Vitkof thotë se SHBA i ndërpret bisedimet për armëpushim në Gaza

Vitkof thotë se SHBA i ndërpret bisedimet për armëpushim në Gaza

Uashington, 24 korrik 2025 (MIA) – I dërguari special i Donald Trampit, Stiv Vitkof, tha sot se SHBA po pezullon negociatat për armëpushim në Gaza dhe po e kthejnë ekipin e tyre negociator nga Katari për konsultime, pasi përgjigja e fundit e Hamasit tregoi "mungesë dëshire për të arritur një armëpushim në Gaza".

"Ndërsa ndërmjetësuesit kanë bërë përpjekje të mëdha, Hamasi nuk duket i koordinuar ose nuk po vepron në vullnet të mirë. Tani do të shqyrtojmë mundësi alternative për kthimin e pengjeve në shtëpi dhe për të krijuar një mjedis më të qëndrueshëm për popullin e Gazës", tha Vitkof.

Ai theksoi se ishte për të ardhur keq që Hamasi veproi në një mënyrë kaq "egoiste" dhe se SHBA ishte e vendosur të kërkonte një fund të konfliktit në Gaza.

Administrata e Trampit nuk ka qenë në gjendje të bëjë një përparim në bisedimet për një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit për muaj të tërë, ndërsa kushtet në Gaza janë përkeqësuar. Territori kohët e fundit pësoi ditën më vdekjeprurëse për njerëzit të cilët shkojnë për ndihmë në më shumë se 21 muaj luftë, kur të paktën 85 palestinezë vdiqën të dielën ndërsa përpiqeshin të marrin ushqim.

Të dyja palët kanë zhvilluar negociata në Katar për javë të tëra, me shenja të vogla përparimi, por pa ndonjë përparim të madh. Zyrtarët thonë se pengesa kryesore është rivendosja e trupave izraelite pas çdo armëpushimi.

Më herët sot, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu thirri ekipin negociator të vendit të tij në Izrael pas përgjigjes së Hamasit. Në një kumtesë të shkurtër, zyra e kryeministrit izraelit tha se vlerësonte përpjekjet e Vitkofit dhe ndërmjetësve Katarit dhe Egjiptit, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Po shqyrtohet një marrëveshje që do të përfshijë një armëpushim 60-ditor, në të cilin Hamasi në faza do të lirojë 10 pengje të gjalla dhe do të dorëzojë trupat e 18 prej tyre, në këmbim të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite. Gjatë kësaj kohe, ndihma humanitare do të rritet dhe të dyja palët do të negociojnë një armëpushim të përhershëm.

Bisedimet kanë ngecur për shkak të kërkesave kontradiktore për t'i dhënë fund luftës. Hamasi thotë se do t'i lirojë të gjithë pengjet vetëm në këmbim të një tërheqjeje të plotë izraelite dhe përfundim të luftës. Izraeli thotë se nuk do të pranojë përfundimin e luftës derisa Hamasi të heqë dorë nga pushteti dhe të çarmatoset, gjë që grupi e refuzon.

Departamenti i Shtetit tha më parë këtë javë se Vitkof do të shkonte në Lindjen e Mesme për negociata, por zyrtarët amerikanë thanë më vonë se Vitkof do të udhëtojë për në Evropë. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR