Veber: Evropa është vetëm dhe tani duhet të armatosemi në mënyrë të pavarur, është koha për të ndërmarrë hapat e parë drejt krijimit të një ushtrie evropiane
- Kryetari i forcës politike me grupin më të madh në Parlamentin Evropian - Partia Popullore Evropiane (PPE), Manfred Veber bëri thirrje për vendime të shpejta për formimin e politikës së pavarur të mbrojtjes për Evropën pas përplasjes verbale mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës - Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski - pardje në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 09:50, 2 mars, 2025

Berlin, 2 mars 2025 (MIA) - Kryetari i forcës politike me grupin më të madh në Parlamentin Evropian - Partia Popullore Evropiane (PPE), Manfred Veber bëri thirrje për vendime të shpejta për formimin e politikës së pavarur të mbrojtjes për Evropën pas përplasjes verbale mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës - Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski - pardje në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi DPA.
"Nëse shikoni Uashingtonin, duhet të kuptoni një gjë: Evropa është vetëm dhe tani ne duhet të armatosemi në mënyrë të pavarur", tha politikani gjerman në një deklaratë për grupin mediatik "Funke" të publikuar sot.
Ai theksoi se ishte koha "të hidheshin hapat e parë drejt krijimit të një ushtrie evropiane".
"Shumë kohë është humbur. Vendet evropiane duhet të pajisen me gjithnjë e më shumë pajisje ushtarake të prodhuara në Evropë. Nëse SHBA-ja nuk është më një mik dhe partner i besuar, atëherë lind pyetja se pse ne blejmë shumicën e armëve tona nga SHBA. Ne duhet ta forcojmë industrinë tonë të mbrojtjes," theksoi Veber.
Ai vuri në dukje se në një takim të posaçëm të vendeve të BE-së për çështjet e mbështetjes për Ukrainën dhe mbrojtjen e Evropës, të planifikuar për të enjten në Bruksel, duhet të merren vendime të vështira. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s