• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vazhdon greva në prokurori - grupi i punës do të ketë afat prej 10 ditëve për arritjen e marrëveshjes

Vazhdon greva në prokurori - grupi i punës do të ketë afat prej 10 ditëve për arritjen e marrëveshjes

Shkup, 4 tetor 2023 (MIA) - Greva në prokuroritë do të vazhdojë edhe më tutje, njoftoi sot kryetari i Sindikatës së Punëtorëve nga Administrata, Organet Gjyqësore dhe Shoqatat e Qytetarëve (AOGJSHQ), Tërpe Deanoski, në konferencë për media para Prokurorisë Themelore Publike. 

Ai e përshëndeti vendimin e djeshëm nga mbledhja e Qeverisë, ku u formua grup i punës për bisedime i përbërë nga ministrat e Financave, të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, dhe të Drejtësisë, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe përfaqësues të Sindikatës së AOGJSHQ, si sindikatë përfaqësuese, në të cilën do të vendoset për kërkesat për rritjen e pagës për 78 për qind dhe kthimin e shtesave të pagës. 

Pritet që ky grup i punës të fillojë me punë në afat prej shtatë ditëve, siç është bërë e ditur në informacionin e Qeverisë. 

"Vetëm duam t'i njoftojmë se në takimin e parë do të kërkojmë definimin e afateve. Ai grup i punës ta përfundojë punën në afat më të gjatë se 10 ditë pune. Nëse nuk merremi vesh dhe nuk i pranojnë kushtet tona greva do të vazhdojë në mënyrë më rigoroze dhe nuk do të kryhen kurrfarë detyra pune në prokurori", ishte i vendosur Deanoski.

Nëse nuk merren vesh gjatë kohës së afateve të parapara, në grevë do të përfshihen edhe të punësuarit në gjykata dhe prokurori, që do të nënkuptonte se i gjithë gjyqësori nuk do të kryejë kurrfarë detyra të punës. 

"Presim nga ministrat që të kemi bisedime të frytshme dhe negociata të frytshme dhe të gjejmë rrugë dhe t'i zgjidhim kërkesat tona sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse nuk gjejmë, siç thashë, do të ndërpresim punën, do t'i bllokojmë institucionet tjera, greva do të bëhet më rigoroze dita ditës, ndërsa kemi paralajmërime se kësaj greve do t'i bashkohen edhe organet e tjera shtetërore, tha Deanoski.

Kryetarja e Organizatës Sindikaliste pranë Prokurorive Publike pranë Sindikatës së AOGJSHQ, Izabela Ilieva tha se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre për rritje të pagave për 78 për qind dhe 35 për qind për shtesat në paga, ndërsa tashmë kanë kërkuar nga ministri i Drejtësisë me procedurë urgjente të miratohet ligji për shërbim në prokurorinë publike, për të cilën, siç thotë, duhet të bisedojnë bashkërisht, sepse me të rregullohet vlera e pagës, si dhe shtesat e pagës. 

"Nëse mendojnë se do të fillojmë të bëjmë pazare për rritjen e pagave 5 dhe 10 për qind, të mos fillojmë fare. Kërkesat tona janë 78 për qind me shtesa 35 për qind, le ta marrin seriozisht, ne nuk do të dorëzohemi dhe për këtë nuk duhet të mashtrohen, të mos humbin kohë. Ne japim maksimum 10 ditë për negociata. Nëse asgjë nuk ndodh, greva do të jetë edhe më rigoroze", tha Ilieva. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR