• e hënë, 23 dhjetor 2024

Varheji: Nuk pres ndryshim në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, kriteret për anëtarësim janë të qarta

Varheji: Nuk pres ndryshim në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, kriteret për anëtarësim janë të qarta

Shkup, 8 prill 2024 (MIA) – Kriteret për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE janë shumë të qarta. Nuk pres ndonjë ndryshim në Kornizën negociuese dhe nuk mendoj se vendet anëtare duan të rishikojnë kushtet për anëtarësim, tha në një intervistë për BGNES Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Oliver Varheji.

I pyetur nga agjencia se në muajt e kaluar disa politikanë të RMV-së pohojnë se mund të ketë ndryshime në Kornizën negociuese dhe nëse ka mundësi për ndryshimin e kushteve që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut, Varheji tha se kriteret për anëtarësim janë të qarta.

"Kriteret janë shumë të qarta që nga viti 2022 e në vazhdim, kur u miratua Korniza negociuse. Ato duhet të përmbushen dhe në këtë kuptim nuk pres ndonjë ndryshim. Nuk mendoj se shtetet anëtare do të rishikojnë kushtet. Është e qartë se ato duhet të përmbushen, tha Varheji.

Komisioneri evropian shprehu shpresë se menjëherë pas zgjedhjeve, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do ta ndërmarrë këtë punë dhe se vendi do të ecë përpara duke përmbushur kriteret.

Sa i përket Serbisë, Varheji tha se edhe kriteret për Serbinë gjithashtu janë shumë të qarta.

"Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë e kushteve për anëtarësim në BE për secilin nga vendet kandidate. Serbia po bën përparim në rrugën e saj drejt BE-së. Nëse shikoni Grupin 3, ai është gati për t'u hapur. Është gjithashtu e qartë se zbatimi i Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së për agresionin rus kundër Ukrainës është bërë një temë edhe më e rëndësishme për kandidatët. Tani vendet anëtare të BE-së po shikojnë edhe më me kujdes zbatimin e tij, shtoi Varheji. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR