Vadeful: Sa më shpejtë duhet të formohet qeveria e Kosovës
- – Shefi i diplomacisë gjermane, Johan Vadeful, në takimin e sotëm në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se Berlinin dhe Prishtinën i lidh partneritet shumë i veçantë dhe i afërt.
- Post By Fitore Curri
- 21:03, 18 nëntor, 2025
Prishtinë, 18 nëntor 2025 (MIA) – Shefi i diplomacisë gjermane, Johan Vadeful, në takimin e sotëm në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se Berlinin dhe Prishtinën i lidh partneritet shumë i veçantë dhe i afërt.
Ai shtoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është urgjencë gjeopolitike.
“Unë kam dëgjuar që numri i nxënësve në Kosovë që mësojnë gjermanisht është jashtëzakonisht i madh.... Është mirë që Kosova është në anën tonë. Ne të gjithë duhet të ja bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi dhe dezinformimi nuk kanë vend... Zgjerimi i BE-së tani është urgjencë gjeopolitike”, theksoi Vadeful.
Ai ka theksuar se Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri e aftë, të cilën votuesit janë duke pritur tashmë tetë muaj.
“Ne jemi të bindur që Kosova e ka forcën dhe vullnetin për të zbatuar reformat e nevojshme. Gjermania është e gatshme që të iu ndihmojë me gjithë fuqinë që ka në këtë rrugëtim. Mbetet esenciale që gjendja këtu të mbetet e qetë.... dhe të mos vijë te konfrontimet siç ka ndodhur më 2023 dhe më 2024", theksoi Vadeful, duke shtuar se Berlini e mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, jo si barrë por si kontributdhënëse.
“Ne pajtohemi plotësisht me qasjen e qeverisë së re gjermane që rruga drejt BE-së duhet të bazohet në merita. Kosova është ekonomia me e re evropiane por është dinamike e digjitale.. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë", theksoi Osmani dhe kërkoi heqjen e masave kundër Prishtinës.

Vadeful në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti theksoi se Gjermania ishte partnere e vendosur edhe para, por edhe pas pavarësisë së Kosovës.
“Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar të punojë bashkë me Gjermaninë për të thelluar raportet dypalshe dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.”, theksoi Kurti. fc/
Foto: DPA