• e hënë, 23 dhjetor 2024

UT-ja dhe Instituti nacional Teatri i Tetovës nënshkruan memorandum bashkëpunimi

UT-ja dhe Instituti nacional Teatri i Tetovës nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Tetovë, 12 prill 2024 (MIA)- Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, sot në hapësirat e Muzeut historik në fshatin Poroj, Universiteti i Tetovës dhe Instituti Nacional Teatri i Tetovës, nënshkruan memorandum bashkëpunimi.

Qëllimi i këtij memorandumi është avancimi i bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Arteve dhe Institutit Nacional Teatri i Tetovës në angazhimin vullnetar dhe profesional të studentëve të Fakultetit të Arteve të programit studimor Arte Dramatike dhe Audiovizuale në Teatrin e Tetovës. Po ashtu në kuadër të këtij bashkëpunimi, përfshihet edhe shfrytëzimi i hapësirave skenike dhe hapësirave të tjera siç janë teknika, kostumet, skenografia etj., për nevoja të ndërsjella, si dhe krijimi i projekteve të përbashkëta dhe organizimi i praktikës së studentëve.

Pikë e rëndësishme e këtij memorandumi është edhe promovimi i përbashkët i eventeve të organizuara nga Instituti Nacional Teatri i Tetovës dhe nga Universiteti i Tetovës, respektivisht Fakulteti i Arteve, në kontekst të krijimit të mundësisë së marrjes së shfaqjeve të diplomimit nga studentët e Fakultetit të Arteve në repertorin e rregullt të Teatrit të Tetovës dhe krijimi i mundësisë për studentët e drejtimit Regji teatri për të asistuar në realizimin e shfaqjeve teatrore në Teatrin e Tetovës, si dhe organizimi i përbashkët i seminareve, trajnimeve dhe punëtorive dhe filmimi i shfaqjeve nga ana e studentëve të Fakultetit të Arteve të programit studimor Arte Dramatike dhe Audiovizuale me pajisjet e tyre, për nevojat e Teatrit të Tetovës.

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe drejtori i Institutit Nacional Teatri i Tetovës Abdulla Osmani, u shprehën se ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të arsimit, shkencës, artit dhe kulturës në vendin tonë i cili nxit inovacionin dhe kreativitetin në veprimtaritë përkatëse.

 

QËNDRONI TË LIDHUR