• e hënë, 23 dhjetor 2024

Universiteti i Tetovës mbajti akademi solemne me rastin e 29-të vjetorit të themelimit

Universiteti i Tetovës mbajti akademi solemne me rastin e 29-të vjetorit të themelimit

Tetovë, 15 dhjetor 2023 (MIA) - Me një akademi solemne, Universiteti i Tetovës shënoi 29 vjetorin e themelimit. Fjalime të rastit mbajtën rektori Jusuf Zejneli, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe ministri i Arsimit Jeton Shaqiri. U mbajt edhe një program kulturor-artistik.

Rektori Jusuf Zejneli në fjalim theksoi se në vitin akademik 2023/2024 është rritur ndjeshëm numri i studentëve të rinj në drejtime të ndryshme të programeve të studimit të ofruara nga 13 njësitë akademike dhe theksoi se besimi i dhënë atyre nga studentët dhe familjet e tyre i bëjnë ata krenarë, por edhe më të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe barrën që mbajnë.

"Me këto 29 vite veprimtari në shërbim të arsimit të lartë, Universiteti i Tetovës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e shumë gjeneratave që janë profilizuar si profesionistë në fusha të ndryshme dhe sot me të drejtë krenohemi kur ata mbajnë poste drejtuese në institucionet më të larta shtetërore në vendin tonë dhe më gjerë. Kjo arritje mbresëlënëse, natyrisht, i dedikohet të gjithë profesorëve tanë që kanë kontribuar në zhvillimin e Universitetit ndër vite", theksoi rektori Jusuf Zejneli.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalën e tij para të pranishmëve në solemnitet tha se si ligjvënës po bëjnë gjithçka për të krijuar kushte sa më të favorshme dhe të përshtatshme për mirëqenien, rritjen dhe zhvillimin intelektual të brezave të rinj.

"Sfidat janë të mëdha, por ne të gjithë kemi obligim tu ofrojmë pikënisjen më të mirë për të mbajtur hapin me botën. Sot, Tetova është qytet universitar me potencial të madh studentor ku energjia, vullneti dhe vizioni ndjehet në çdo kënd dhe ne duhet të bëjmë maksimumin në fushëveprimin tonë për të mundësuar që kjo energji rinore, të kanalizohet, të orientohet dhe të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, për të mirën e studentëve, të mjedisit lokal, por edhe qendror. Të kontribuojmë që të duan të mbesin këtu, në vendlindje, këtu të shohin shpresën dhe perspektivën për përmbushjen e aspiratave profesionale por, mbi të gjitha, familjare, unë jam i bindur se suksesi i tyre do të jetë shpërblimi më i madh për të gjithë ne", theksoi Xhaferi.

Universiteti filloi me ligjërata në vitin 1994, ndërsa në janar të vitit 2004 u legalizua me miratimin e ligjit nga Kuvendi për themelimin e Universitetit Shtetëror në Tetovë. sa/

Foto: Kuvendi

QËNDRONI TË LIDHUR