• e hënë, 23 dhjetor 2024

Universiteti i Tetovës e forcon bashkëpunimin me universitete nga Turqia

Universiteti i Tetovës e forcon bashkëpunimin me universitete nga Turqia

Tetovë, 3 korrik 2024 (MIA) - Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi, përgjegjësja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri dhe koordinatorja universitare për Erasmus +, Mr. Sc. Shpresa Ademi, pritën në takim Rektorin e Universitetit Burdur Mehmet Akif Ersoj, Prof. Dr. Hyseyin Daglar dhe Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të këtij universiteti Prof. Dr. Oguz Gursoj.

Qëllimi i këtij takimi, siç thuhet në Zyren për informim pranë UT-së, ishte nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim në mes dy universiteteve, me të cilin synohet zhvillimi i bashkëpunimit akademik, kulturor dhe shoqëror si dhe promovimi i mirëkuptimit të ndërsjellë.

"Nënshkruesit e këtij memorandumi, rektorët e universiteteve përkatëse, u pajtuan që të zhvillojnë aktivitete bashkëpunimi në fushat akademike. Kjo marrëveshje përfshin shkëmbimin e personelit akademik dhe administrativ, kryerjen e projekteve kërkimore - shkencore, realizimin e konferencave, kongreseve dhe simpoziumeve shkencore si dhe promovimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët", thuhet në kumtesë.

Rektorët e universiteteve përkatëse u shprehën të lumtur që prej kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë një numër i madh i studentëve dhe stafit akademik të të dyja institucioneve të arsimit të lartë. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR