• e premte, 22 nëntor 2024

UNICEF në Maqedoninë e Veriut bën thirrje për përshpejtimin e miratimit të ligjeve kyçe për fëmijët

UNICEF në Maqedoninë e Veriut bën thirrje për përshpejtimin e miratimit të ligjeve kyçe për fëmijët

25 dhjetor 2023

"Tridhjetë vjet më parë, vendi u premtoi fëmijëve që të drejtat e tyre do të mbroheshin dhe do të mbështeteshin pasi që vendi ta miratonte Konventën për të Drejtat e Fëmijëve. Kur e nënshkroi këtë traktat, shteti gjithashtu e morri përsipër një përgjegjësi për të zbatuar secilin prej detyrimeve, duke përfshirë detyrimin e tij për të siguruar që ligjet dhe praktikat nacionale të jenë në përputhje me konventën.

"Brenda tridhjetë vjetëve, të drejtat e fëmijëve nuk kanë ndryshuar, ndërsa fëmijëria ka ndryshuar. Sot fëmijët jetojnë në një botë ku të drejtat e tyre vihen në rrezik dhe lihen anash për shkak të prioriteteve tjera. Mirëpo fëmijët nuk mund të presin. Aktualisht ka ligje dhe politika të rëndësishme për fëmijët në procedurë qeveritare ose parlamentare, të cilat presin t’iu jepet prioriteti që e meritojnë.

 Këto ligje përfshijnë: 1) projektligjin mbi drejtësinë për fëmijët, i cili është miratuar nga Qeveria dhe duhet të miratohet urgjentisht nga Parlamenti;  2) plotësimi i ligjit për arsimin fillor është në procedurë parlamentare për më shumë se shtatë muaj dhe e ka kaluar shqyrtimin e parë; 3) projektligji për arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe 4) projektligji për arsimin dhe aftësimin profesional duhet të futen në rend dite për miratim nga Qeveria.

"Ndonëse e përshëndesim Qeverinë që së fundmi e ka miratuar projektligjin mbi drejtësinë për fëmijët, UNICEF-i i bën thirrje Kuvendit të mos presë dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për miratimin e ligjit kur të hyjë në procedurë parlamentare. Para se të miratohej nga Qeveria, projektligji ka qenë në proces rishikimi për më shumë se katër vite. Ligji në fjalë e shpalos një masë të re për të siguruar që interesi më i mirë i fëmijës të merret në konsideratë në të gjitha vendimet e marra për fëmijët në kontakt me ligjin, për fëmijët viktima dhe fëmijët dëshmitarë në procedurat gjyqësore. Ai gjithashtu prezanton masa të reja për mbështetjen e fëmijëve në konflikt me ligjin me qëllim të riparimit të çdo dëmi të bërë, për t'i ndihmuar ata t’i kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe për t’u ofruar atyre mundësi për t’i ringjallë lidhjet me komunitetin. Ky ligj është në përputhje me direktivat e BE-së për mbrojtjen procedurale të fëmijëve, që dyshohen ose akuzohen në procedime penale, si dhe me standardet minimale për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima të krimit.

"Po ashtu i bëjmë thirrje Kuvendit që ta përshpejtojë miratimin e ndryshimit të Ligjit për arsimin fillor. UNICEF-i ngel i shqetësuar për faktin se plotësimi i Ligjit për arsimin fillor është ende në procedurë parlamentare edhe shtatë muaj pas dorëzimit të tij. Përderisa ligji aktual ofron bazë për përmirësimin e cilësisë dhe arsimit gjithëpërfshirës, ky amendament është kritik për të ofruar një zgjidhje afatgjatë për fëmijët në entet edukativo korrektuese, të cilët vazhdojnë të jenë të privuar nga e drejta e tyre për arsim. Ky privim i të drejtave të fëmijëve është ngritur vazhdimisht nga UNICEF-i, Ombudspersoni, por edhe nga Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe BE-ja – duke e theksuar atë në raporte të ndryshme për vendin.

"Gjithashtu Qeveria duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta miratuar dhe dorëzuar në Kuvend projektligjin për arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe ligjin për arsimin dhe aftësimin profesional. Këto dy ligje janë kritike për ta garantuar kalimin nga arsimi fillor në atë të mesëm të grupeve vulnerabile si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në institucionet korrektuese, fëmijët emigrantë dhe refugjatë. Në veçanti, këto ligje ofrojnë baza për adresimin e diskriminimit dhe theksimin e rëndësisë së shëndetit mendor dhe shqyrtimit të mjedisit jetësor në arsimin e mesëm. Gjithashtu, përfshirja e qendrave rajonale për arsimin profesional në Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional paraqet një hap shtesë në sigurimin e përafrimit të aftësive të fituara të fëmijëve në shkolla me kërkesat e tregut të punës.

"Miratimi i ligjeve është një hap i rëndësishëm, por ato janë aq të mira aq sa edhe janë zbatuar, andaj Qeveria dhe Parlamenti duhet gjithashtu të ndajnë burime të mjaftueshme financiare për të siguruar që personat përgjegjës të kenë mjete të mjaftueshme për ta përmbushur premtimin e përshkruar në këto ligje".

"Vonesat e këtilla vetëm se do t’i përkeqësojnë privimet ekzistuese në shumë sektorë. Në arsim shohim që tre të katërtat e të gjithë pesëmbëdhjetëvjeçarëve nuk arrijnë t’i përmbushin nivelet bazë të aftësisë së leximit, ndërsa dy nga tre nxënës kanë sukses të ulët në matematikë dhe shkencë. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë fëmijë po vijnë në kontakt me sistemin e drejtësisë".

"Të gjitha partitë politike duhet të bashkohen për fëmijët dhe të manifestojnë përkushtim për të ardhmen e vendit, duke e përmbushur shpejt procesin e miratimit të këtyre ligjeve. Ne nuk guxojmë t’i mbajmë fëmijët në pritje".

 

Deklaratë e Patricia DiXhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut

__________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR