• e shtunë, 21 dhjetor 2024

UNICEF: Çdo i treti fëmijë në vend jeton në varfëri

UNICEF: Çdo i treti fëmijë në vend jeton në varfëri

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) - Në Ditën ndërkombëtare kushtuar zhdukjes së varfërisë, UNICEF-i apelon që të rritet përfshirja e ndihmës financiare për fëmijët dhe përmes një reagimi shumësektorial deri në vitin 2030 të përgjysmohet varfëria e fëmijëve.

Zyra e UNICEF-it në Shkup tregon të dhënat që ka publikuar Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) këtë muaj ku mbi 120.000 fëmijë në vend, ose 32.8 për qind e të gjithë fëmijëve, jetojnë nën pragun e varfërisë.

"Shkalla e varfërisë te fëmijët është 50 për qind më e lartë se ajo e popullsisë së rritur (22 për qind) dhe është rritur nga 28 për qind në vitin 2015 në 32,8 për qind në vitin 2021, duke treguar me këtë se fëmijët janë lënë jashtë zhvillimit ekonomik të vendit. Situata është shumë shqetësuese duke pasur parasysh se fëmijët janë më të prekshëm ndaj efekteve të varfërisë. Varfëria e fëmijërisë prek të gjitha aspektet e jetës dhe mund të ketë pasoja gjatë gjithë jetës në zhvillimin fizik, njohës dhe social të fëmijëve dhe ka një kosto të lartë mbi kapitalin njerëzor dhe prosperitetin. Duke marrë parasysh këtë, me miratimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në vitin 2015, vendi fuqishëm është angazhuar për të ulur të paktën gjysmën e përqindjes së fëmijëve që jetojnë nën kufirin e varfërisë deri në vitin 2030, thekson UNICEF-i.

Në të theksohet se investimet e pamjaftueshme në mbrojtjen sociale kanë kontribuar në përfshirjen e pamjaftueshme të fëmijëve në vend dhe se shpenzimet publike për mbrojtjen sociale mbeten prapa sektorëve të tjerë dhe janë shumë nën mesataren e Bashkimit Evropian.

"Sot, më pak se 23 për qind e familjeve me fëmijë në Maqedoninë e Veriut marrin ndihmë financiare destinuar për fëmijë apo amvisëri me fëmijë, ndërsa mesatarja në BE është 88,4 për qind. Një nga mundësitë kryesore për trajtimin e varfërisë së fëmijëve është zgjerimi i përfshirjes dhe përmirësimi i masës së ndihmës financiare për fëmijët që jetojnë në varfëri. Kjo mund të përfshijë zgjerimin e shtesës arsimore për të përfshirë fëmijët në arsimin parashkollor i cili është kyç për ndërtimin e aftësive që u nevojiten fëmijëve për të pasur sukses më vonë në jetë; informim dhe mbështetje më e mirë për t'u mundësuar familjeve që të kenë qasje në ndihmën financiare që u takon; harmonizim të ndihmës financiare për fëmijët me kostot reale të jetesës", thekson UNICEF-i në deklaratë.

Sipas Organizatës së KB-së për të drejtat e fëmijëve, "vendi mund të konsiderojë gjithashtu futjen e mbështetjes universale të ndihmës në para për fëmijët e cila globalisht ka treguar se vendet mund të lejojnë edhe në kohë krize dhe është një politikë efektive për të reduktuar varfërinë e përgjithshme dhe varfërinë e fëmijëve".

Qasja universale – para për çdo fëmijë, shton UNICEF-i, ul në mënyrë drastike kostot administrative, rrezikun e përjashtimit të disa fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë dhe rreziqet e stigmës dhe diskriminimit.

"Në të njëjtën kohë, ndihma financiare universale për fëmijët kontribuon në ndërtimin dhe ruajtjen e kohezionit social, duke reduktuar pabarazinë. Përveç përmirësimit të ndihmës në të holla për familjet me fëmijë, përballja me varfërinë e fëmijëve kërkon gjithashtu një përgjigje shumësektoriale në mënyrë që fëmijët të kenë qasje në shërbimet bazë sociale, siç është arsimi, shëndetësia, ushqimi dhe mbrojtja, pa stigmë dhe diskriminim”, thuhet në deklaratë.

Me zgjerimin e mbrojtjes sociale të fëmijëve, Qeveria thekson se Zyra e UNICEF-it, “do të kontribuojë në realizimin e prioritetit të saj për përshpejtimin dhe ruajtjen e rritjes ekonomike, standard më të lartë të jetesës dhe jetë cilësore për qytetarët”.

"UNICEF-i vazhdon të mbështesë përpjekjet e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë e cila do të sigurojë që çdo fëmijë të ketë një shans për një të ardhme të shëndetshme dhe produktive", kumton UNICEF-i.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR