• e premte, 05 dhjetor 2025

Udhëheqësit evropianë i bashkohen Zelenskit për takimin me Trampin në Uashington

Udhëheqësit evropianë i bashkohen Zelenskit për takimin me Trampin në Uashington

Berlin, 17 gusht 2025 (MIA) - Udhëheqësit evropianë, përfshirë presidentin francez Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc, do t'i bashkohen nesër presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në takimin e tij të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së Donald Tramp, njoftoi DPA.

Në bisedat në Uashington do të marrin pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe presidenti finlandez Aleksandar Stub. Gjithashtu, pjesëmarrjen e saj ka njoftuar edhe kryeministrja italiane Xhorxha Meloni.

Qeveria gjermane kumtoi se temat e takimit do të përfshijnë "garancione të sigurisë, çështje territoriale dhe mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën në refuzimin e agresionit rus, që nënkupton ehde mbajtjen e presionit me sanksione".

"Udhëtimi shërben për të shkëmbyer informacione me presidentin e SHBA-së Donald Tramp pas takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska", thuhet në kumtesën nga Berlini.

Në Paris, Pallati Eliseut tha se Makron do të vazhdojë koordinimin midis evropianëve dhe SHBA-së për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo paqe duhet të ruajë sigurinë e Evropës dhe interesat ekzistenciale të Ukrainës, shtoi në deklaratë.

Përpara bisedimeve në Uashington, Zelenski është sot në Bruksel për të marrë pjesë në një video-konferencë me një numër udhëheqësish evropianë, tha Fon der Lajen. Makron, Merc dhe kryeministri britanik Kir Starmer do të drejtojnë së bashku bisedimet e të ashtuquajturit "Koalicion i të Gatshmëve" në orën 15:00 sipas kohës maqedonase.

Koalicioni është një grup joformal kombesh që mbështesin Kievin kundër një pushtimi në shkallë të plotë rus të nisur në shkurt të vitit 2022.

Kjo seri aktivitetesh vjen pas samitit të së premtes në Alaskë midis Trampit dhe presidentit rus Vladimir Putin. Pavarësisht pritjes së ngrohtë që Trampi i bëri udhëheqësit të Kremlinit, takimi nuk arriti të sjellë ndonjë përparim në përfundimin e luftës.

Qëndrimi i Trampit ndaj konfliktit ka ndryshuar ndjeshëm, herë pas here duke fajësuar Ukrainën për pushtimin, ndërsa herë të tjera duke kërcënuar Moskën me masa ndëshkuese nëse përparimi drejt një armëpushimi ngec. Dje, ai për Foks Njuz deklaroi se Ukraina duhet të bëjë një marrëveshje me Rusinë sepse "Rusia është një fuqi shumë e madhe dhe ata nuk janë".

Trampi gjithashtu hodhi poshtë thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm pas Samitit, duke zgjedhur opsionin e preferuar të Putinit për një marrëveshje të plotë paqeje për t'i dhënë fund luftës.

Kryeqytetet evropiane, të kujdesshme nga margjinalizimi, po këmbëngulin që pikëpamjet e tyre - dhe ato të Kievit - të mos përjashtohen nga dialogu SHBA-Rusi, i cili mund të formësojë sigurinë afatgjatë të Evropës, raporton DPA. Udhëheqësit evropianë kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm si një hap i parë drejt paqes, kanë kërkuar garanci të detyrueshme sigurie për Ukrainën dhe e kanë paralajmëruar Trumpin të mos u besojë garancive të Putinit.

Zelenski, i cili nuk u ftua në samitin Tramp-Putin, është planifikuar të takohet me Trampin nesër në Uashington. Ai këmbëngul që Ukraina të përfshihet në çdo negociatë për të ardhmen e saj, veçanërisht në lidhje me çështjet territoriale.

Udhëheqësit që udhëtojnë për në Uashington me siguri do ta kujtojnë takimin e fundit të Zelenski me Trampin në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, i cili u përshkallëzua në një debat të nxehtë në televizionin e drejtpërdrejtë. Përballja çoi në një ndalesë të përkohshme të ndihmës thelbësore ushtarake amerikane për Ukrainën.

Disa media raportuan pas samitit të së premtes se Putini kishte kërkuar kontroll të plotë mbi rajonet e pushtuara lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Lugansk, në këmbim të një armëpushimi. Trampi shpesh e ka përmendur idenë e një "shkëmbimi" të territorit midis Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës. Propozimi e ka zemëruar Kievin, i cili kategorikisht refuzon t’i lëshojë Moskës asnjë pjesë të territorit të tij. Trampi tha se shpreson që përfundimisht të organizojë një takim trepalësh me Zelenskin dhe Putinin.

Starmer shkroi dje në një postim në rrjetin social X: "Përpjekjet e presidentit Tramp na kanë sjellë më afër se kurrë përfundimit të luftës së paligjshme të Rusisë në Ukrainë... Ndërsa është bërë përparim, hapat e ardhshëm duhet të përfshijnë bisedime të mëtejshme me presidentin Zelenski. Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa të",

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrij Sibiha tha të martën se kishte folur me disa nga homologët e tij evropianë gjatë fundjavës për të koordinuar hapat përpara videokonferencës së udhëheqësve. Në një deklaratë, ai tha se për ta detyruar Rusinë të ndalojë luftën, Evropa duhet të ndihmojë në forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit dhe të ofrojë një "paketë parandaluese" për të parandaluar agresionin e ardhshëm rus, i cili do të përfshinte garanci sigurie.

Sibiha theksoi gjithashtu nevojën për të rritur presionin me anë të sanksioneve, ndërsa Komisioni Evropian përgatit paketën e 19-të të masave ndëshkuese. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR