• e diel, 22 dhjetor 2024

U nënshkrua Deklarata e grave lidere për qeverisje të mirë dhe anti-korrupsion në Evropën Juglindore

U nënshkrua Deklarata e grave lidere për qeverisje të mirë dhe anti-korrupsion në Evropën Juglindore

Shkup, 23 mars 2023 (MIA) - Fuqizimi i grave në politikë, lidershipi i fuqishëm, rrjetëzimi dhe barazia gjinore janë disa nga çështjet kryesore që janë në fokus të Forumit të Grave - Lidere për qeverisje të mirë dhe anti-korrupsion që mbahet sot në Shkup.

Në manifestimin për promovimin e forumit i cili u iniciua nga zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska dhe me mbështetjen e Agjencisë së KB-së për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (Gratë e KB-së), Iniciativa Rajonale kundër Korrupsionit (RAI) dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), u nënshkrua Deklarata e grave lidere për qeverisjen e mirë dhe anti-korrupsionit në Evropën Juglindore.

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, gjatë promovimit të këtij forumi rajonal, theksoi se qeverisja e mirë është kyçe për ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre, por edhe për marrëdhëniet ndërmjet shteteve.

“Me themelimin e këtij forumi, në këtë rrjet të ri rajonal, ne duam të nxjerrim në pah vlerat dhe përfitimet e bashkëpunimit dhe solidaritetit të grave, por në të njëjtën kohë të dërgojmë një mesazh se jemi të hapur për aleanca me të gjithë ata që duan të respektojnë parimet e qeverisjes së mire”, tha ajo.

Përmes këtij Forumi, siç theksoi zëvendëskryeministrja Gërkovska, do të ndihmojmë njëri-tjetrin,duke shkëmbyer praktikat e mira, duke dhënë këshilla, mbështetje njerëzore dhe profesionale.

“Të rrjetëzohemi përmes angazhimeve të përbashkëta për hapje më të madhe, integritet solid dhe etikë”, tha zëvendëskryeministrja Gërkovska.

Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, në aktivitetin e mbajtur në hotelin Hilton theksoi se gratë promovojnë ndryshimin dhe avancimin dhe ato i transformojnë bisedat në rastet e konfliktit.

“Në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, tani, më shumë se kurrë, na duhet një lidership i fortë dhe i ndershëm për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar qeverisjen e mire”, tha Ageler.

Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shmid, theksoi se forcimi i pozitës së grave në politikë është thelbësor për të siguruar që të drejtat e grave të njihen dhe të forcohen dhe për t'i mundësuar ato që të promovojnë dhe formësojnë qeverisjen e mirë efektive dhe luftën kundër korrupsionit.

“Nuk mjafton të jesh prezente, përmes pjesëmarrjes dhe angazhimit, jo thjesht të ulesh në tryezë, por të jemi në krye të tavolinës. Duhet të ndalojmë të mendojmë lidershipin vetëm me përfshirjen e grave në biseda, gratë udhëheqëse mund dhe duhet të udhëheqin bisedat”, tha ajo.

Sipas Shmid, korrupsioni nuk është asnjanës nga ana e gjinisë, por është i pranishëm kur ka pabarazi dhe disproporcioni prek gratë, kështu që të kuptuarit e lidhjes mes gjinisë dhe korrupsionit, siç thotë ajo, "është pikënisja për krijimin e politikave më të mira dhe më efektive”.

Shefja e zyrës së programit Gratë e KB-së Vesna Ivanoviq Kastared, tha se korrupsioni dhe pabarazia gjinore janë të lidhura ngushtë dhe korrupsioni përkeqëson pabarazitë gjinore.

“Ndikimi i korrupsionit është i ndryshëm kur bëhet fjalë për gjinitë e ndryshme dhe nëse kemi dëshmi për këtë mund të përcaktojmë informacione për politikëbërësit në mënyrë që të vendosen praktika të mira për të luftuar korrupsionin”, tha ajo.

Si shembull, Ivanoviq Kastared vuri në dukje shantazhin seksual, i cili, tha ai, rrallë përfshihet në përkufizimin e korrupsionit.

Ivanoviq Kastared beson se pjesëmarrja më e madhe e grave në jetën publike dhe politike mund të ndihmojë në hartimin e qasjeve gjinore ndaj anti-korrupsionit dhe në këtë mënyrë të parandalojë që gratë të jenë viktima të korrupsionit dhe të forcojnë veten dhe të ofrojnë rezistencë kur ai ndodh.

Kryetarja e Sekretariatit të Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), Desislava Gockova tha se synimi është që të inicohet një debat publik më i gjerë dhe gjithpërfshirës dhe të motivohet hulumtimi dhe dialogu më i thellë për të gjitha këto çështje.

“Duke i bashkuar gratë lidere nga i gjithë rajoni, inkurajojmë gratë e të gjitha moshave që të marrin pjesë në krijimin e politikave dhe vendimeve, të cilat do forcojnë zërin e grave dhe perspektivën e tyre dhe do të promovojnë bashkëpunimin rajonal”, tha Gockova.

Ekspertja e parandalimit të krimit dhe drejtësisë penale nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Xhenifer Saruari Bradford, beson gjithashtu se gratë përmes udhëheqjes apo lidershipit të tyre mund të ndihmojnë në zbutjen e rreziqeve të korrupsionit.

“Ne duhet të diversifikojmë vendimmarrjen, duhet të thyejmë status quo-në dhe pikërisht për këtë duhet bërë kjo”, tha Saruari Bradford.

Në kuadër të këtij evenimenti, ka edhe dy panel diskutime të titulluara “Si mund të ndikojë pozitivisht lidershipi i grave në qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik në rajon?” dhe “Gratë në shoqërinë civile dhe gazetarinë investigative – hallkë kyçe në ndërtimin e një shoqërie më të mirë për të gjithë”.

 

QËNDRONI TË LIDHUR