• e premte, 05 dhjetor 2025

Turqia ka ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Izraelin

Turqia ka ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Izraelin

Stamboll, 29 gusht 2025 (MIA) - Turqia ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Izraelin dhe ka mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanët izraelitë, si përgjigje të veprimeve të vendit në Gazë, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

"E kemi ndaluar plotësisht tregtinë me Izraelin", tha Fidani në një seancë parlamentare për situatën në Gazë në Ankara.

"I kemi mbyllur portet tona për anijet izraelite. Nuk lejojmë që anijet turke të lundrojnë drejt porteve izraelite", shtoi ai.

Turqia "nuk lejon që anijet kontejnerë që transportojnë armë dhe municione për Izraelin të lundrojnë drejt porteve tona dhe as nuk lejojmë që aeroplanët të fluturojnë në hapësirën tonë ajrore", informoi Fidan.

Asnjë vend tjetër nuk i ka ndërprerë plotësisht marrëdhëniet tregtare me Izraelin, transmeton DPA.

Masat janë pjesë e pakos gjithëpërfshirëse të masave diplomatike, ligjore dhe ekonomike që Ankaraja ka futur për shkak të konfliktit në Gazë, shtoi Fidan.

Turqia vazhdimisht e ka përshkruar luftën në Rripin e Gazës si "gjenocid".

Më shumë se 62.000 palestinezë janë vrarë në konflikt, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi të cilat konsiderohen kryesisht të besueshme.

Turqia më herët paralajmëroi se do të kufizonte tregtinë me Izraelin dhe deklaroi se nuk do të zhvillohej asnjë tregti që nga maji i vitit 2024.

Sipas Institutit të Statistikave të Turqisë, tregtia e Turqisë me Izraelin arriti në shtatë miliardë dollarë në vitin 2023.  rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR