Trençevska: Këtë javë duhet të jetë i gatshëm raporti i grupit të punës për pensionet, në masat nuk është paraparë rritje lineare
- - Këtë javë pritet të jetë gati raporti i grupit të punës për pensionet. Në masat të cilat duhet të miratohen, siç deklaroi sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, nuk është paraparë rritje lineare e pensioneve, sepse, siç tha, duhet të mbahet llogari për qëndrueshmërinë e sistemit pensional.
- Post By Fitore Curri
- 12:34, 3 tetor, 2023
Shkup, 3 tetor 2023 (MIA) - Këtë javë pritet të jetë gati raporti i grupit të punës për pensionet. Në masat të cilat duhet të miratohen, siç deklaroi sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, nuk është paraparë rritje lineare e pensioneve, sepse, siç tha, duhet të mbahet llogari për qëndrueshmërinë e sistemit pensional.
"Pres që këtë javë të dorëzohet raporti i grupit punues, i cili do t'i dorëzohet Qeverisë në mënyrë që së bashku të vendosim se cilat masa shtesë do të miratohen në pakon e re të masave kundër krizës. Ndër këto masa nuk ka rritje lineare sepse rritja lineare nuk është në favor të të gjithë pensionistëve. Me metodologjinë e re, vetëm për një vit e gjysmë pensioni më i ulët është rritur për gati 2.200 denarë, ndërsa sipas rritjes së pensioneve do të vazhdojë të aplikohet metodologjia e re dhe do të shkojmë me atë që është zgjidhja ligjore tani për momentin. Do të kemi masa që do të nënkuptojnë të ardhura shtesë, mbështetje financiare për pensionistët, por do të mbulohen ata pensionistë me pensione të ulëta dhe që janë në kategorinë më të rrezikuar", deklaroi Trençevska pas vizitës në kopshtin "13 Nëntori" me rastin e Ditës së fëmijëve.
Trençevska tha se si Qeveri mbeten të hapur për bisedime me pensionistët, por se nuk pajtohet me rritje lineare të pensioneve siç kërkojnë pensionistët për shkak të stabilitetit të sistemit pensional.
"Çdo rritje joreale e pensionit dhe çdo shpenzim joreal i fondeve në Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore do ta bëjmë të pasigurt pagesën e pensioneve për të gjithë 336 mijë pensionistët. As si Qeveri dhe as si ministre e Punës dhe Politikës Sociale nuk do të lejoj që të dëmtohet stabiliteti i fondit pensional. Nga viti 2017 e tutje po punohet për rritjen e të hyrave në fondin pensional dhe këtë e tregojmë me uljen e deficitit, i cili në vitin 2017 ishte rreth 47 për qind, ndërsa tani është ulur në 33 për qind", theksoi Trençevska.
Theksoi se për një vit e gjysmë pensionet janë rritur për 24 për qind nga janari i vitit të kaluar në bazë të harmonizimit me shpenzimet e jetesës.
"Unë nuk them se pensionet e ulëta mjaftojnë. Megjithatë, me mbështetje financiare pa u vënë në pikëpyetje qëndrueshmëria e sistemit pensional do të krijojmë masa me të cilat do të sjellim më shumë mjete në xhirollogaritë e pensionistëve veçanërisht të atyre me pensione të ulëta. Metodologjia jep rezultate të shkëlqyera sepse nga 1 janari i vitit 2022 kur pensioni minimal ishte 10.487 denarë dje pensioni më i ulët u pagua në vlerë prej 13.200. Domethënë, pensioni është rritur për më shumë se 3.000 denarë vetëm për një vit e gjysmë", tha Trençevska. fc/
Fotografia: Printskrin