• e hënë, 23 dhjetor 2024

Trençevska dhe Bytyqi e shënuan Ditën Botërore të Fëmijëve me hapjen e objektit "Lulebora" në përbërje të kopshtit "Lule të lumtura" në Komunën Kisella Vodë

Trençevska dhe Bytyqi e shënuan Ditën Botërore të Fëmijëve me hapjen e objektit

Shkup, 20 nëntor 2023 (MIA) - Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska dhe zëvendëskryemnistri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, sot morën pjesë në hapjen e zgjerimit të objektit "Lulebora" në përbërje të IPKKF "Lule të lumtura" në Komunën e Kisella Vodës. 

"Zgjerimi i kopshtit siguron vend në objekt për 56 fëmijë të tjerë. Punët ndërtimore janë investim i Komunës së Kisella Vodës", tha Trençevska, duke theksuar se MPPS përmes programit për investime kapitale në mbrojtjen e fëmijëve, ka investuar në blerjen, dorëzimin dhe instalimin e pajisjeve në vlerë prej 1.377.671 denarë, duke shtuar se po përforcohen përpjekjet e përbashkëta mes vetqeverisjes lokale dhe pushtetit qendror që të përmirësojë infrastrukturën arsimore të qytetarëve të rinj.

Theksoi se deri në fund të vitit 2023 është paraparë që të hapen kapacitete shtesë, të cilat sigurojnë kujdes dhe arsim për 529 fëmijë. 

"Deri në fund të vitit 2024, qëllimi ynë është që të krijojmë edhe 1.653 vende shtesë edhe atë në Gostivar, Prilep, Veles, Haraçinë, Koçan, Vasilevë, Likovë, Dibër, Mogillë, Gjevgjeli, Çair dhe fshatin Erxhelia dhe Dellçevë. Këta janë hapa të fuqishëm drejt ndërtimit të së ardhmes më të ndritur për bashkësinë tonë, duke e kultivuar potencialin e çdo fëmijë dhe duke i mbështetur familjet në kërkimin e tyre për kujdes cilësor për fëmijët", deklaroi Trençevska. 

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, në deklaratë për mediat i theksoi arritjet e deritanishme të Qeverisë në lidhje me mbrojtjen fëmijërore me fokus në investimet e deritanishme në objekte të reja. 

-Që nga fillimi i mandatit të Qeverisë në periudhën 2017-2023 janë hapur gjithsej 83 kopshte apo zgjerimi i kopshteve në të gjithë vendin, të cilat kanë rritur kapacitetin e fëmijëve me rreth 8.000 vende të reja. Aktualisht, nga 80 komuna në të gjithë vendin, në 75 prej tyre kemi kopshte të hapura, ndërsa me kopshtin e ri që do të hapet në Haraçinë, ky numër do të jetë 76. Kopshtet nuk janë thjesht një projekt ndërtimor, por investim në potencialin e çdo fëmije. Ne investojmë në çdo fëmijë, po ndërtojmë shoqëri për të gjithë", tha Bytyqi. fc/

Fotografia: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR