Trampi: Ekzistojnë 25 për qind gjasa takimi në Enkorixh të mos ketë sukses, Putini është i gatshëm për marrëveshje
- – Presidenti amerikan Donald Tramp vlerësoi se ekziston 25 për qind rrezik që takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin nesër në Alaskë, kur duhet të bisedojnë për luftën në Ukrainë, të dështojë.
- Post By Fitore Curri
- 19:15, 14 gusht, 2025
Uashington, 14 gusht 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp vlerësoi se ekziston 25 për qind rrezik që takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin nesër në Alaskë, kur duhet të bisedojnë për luftën në Ukrainë, të dështojë.
“Ai takim do ta hapë rrugën për takim të dytë, por ekzistojnë gjasa 25 për qind që ky takim në Alaskë të mos ketë sukses”, tha presidenti amerikan në intervistë për radion “Foks njuz”.
Trampi deklaroi sot se beson se homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të pajtohet me marrëveshjen dhe se kërcënimi nga sanksionet kundër Rusisë sipas gjitha gjasave e ka detyruar Moskën që të kërkojë takim.
“Ai me të vërtetë, tani besoj, është i bindur se do të lidhë marrëveshje. Mendoj se do të lidhë dhe së shpejti do ta marrim vesh”, tha Trampi në intervistë.
Presidenti amerikan vlerësoi se çdo marrëveshje për ndërprerje të luftës në Ukrainë duhet të kalojë përgjatë samitit trepalësh me Vladimir Putinin dhe Volodomir Zelenskin, që do të vijonte pas takimit të nesërm me homologun e tij rus në Alaskë.
“Takimi i dytë do të jetë shumë, shumë i rëndësishëm, sepse do të jetë takim në të cilin do të arrihet marrëveshje. Dhe nuk dua ta përdor termin ‘ndani gjërat’, por në njëfarë mënyre nuk është term i keq. Do të japin dhe do të marrin kur bëhet fjalë për kufij, territore”, deklaroi Trampi për “Foks njuz”.
Trampi përsëriti se nëse takimi i nesërm kalon mirë, do ta ftojë presidentin ukrainas Zelenski në takimin e dytë, i cili ka mundësi të mbahet në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe në Alaskë.
Duke folur për konferencën për media pas takimit me Putinin ai tha se “do të ishte mirë” të dy të bisedojnë me mediat, por nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit, nuk do të ketë konferencë të përbashkët për media dhe ai vetë do të flasë para mediave para se të kthehet në Uashington.
Bi-Bi-Si përkujton se edhe Kremlini edhe Shtëpia e Bardhë njoftuan se liderët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media pas bisedimeve të nesërme.
Paraprakisht sot Putini tha se SHBA-ja investon “përpjekje të sinqerta” për ndërprerje të luftës në Ukrainë dhe njoftoi se Moska dhe Uashingtoni mund të arrijnë marrëveshje për armë bërthamore si pjesë e përpjekjeve më të gjera për ndërtimin e paqes. fc/
Foto: X