Tramp: Tarifat hyjnë në fuqi më 1 gusht, nuk do të ketë vazhdim
- Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se tarifat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe se nuk do të ketë më zgjatje.
- Post By Qefsere Abduli
- 18:18, 8 korrik, 2025
Uashington, 8 korrik 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se tarifat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe se nuk do të ketë më vazhdim.
"Nuk ka pasur ndryshime deri në këtë datë, as nuk do të ketë ndryshime. Me fjalë të tjera, të gjitha paratë do të jenë të detyrueshme për pagesë duke filluar nga 1 gushti 2025", ka shkruar ai në Truth Social.
Trampi shtoi se disa shtete për të cilat janë vendosur tarifa janë njoftuar me shkrim dje, ndërsa të tjerat do të marrin njoftim zyrtar gjatë ditës.
Trampi njoftoi së paku 14 shtete për normat e reja të tarifave doganore që do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, duke theksuar se kjo politikë doganore mund të ndryshohet me një marrëveshje në fushën e tregtisë.
Për Japoninë dhe Korenë e Jugut është caktuar një tarifë prej 25 për qind. me vlerë të njëjtë është tarifa edhe për Malajzinë, Kazakistanin dhe Tunizinë.
Për Afrikën e Jugut dhe Bosnjë e Hercegovinën janë vendosur tarifa prej 30 për qind, për Indonezinë 32 për qind, për Bangladeshin dhe Serbinë 35 për qind, për Kamboxhën dhe Tajlandën 36 për qind, ndërsa për Laosin dhe Mianmarin 40 për qind.
Trampi në letra i paralajmëroi shtetet kundër vendosjes së masave reciproke, duke thënë se SHBA-ja do të përgjigjet me vendosjen e tarifave të reja nëse ndodhin masa të tilla.
Trampi në prill njoftoi një normë bazë doganore prej 10 për qind për shumicën e shteteve dhe tarifa shtesë që mund të arrijnë deri në 50 për qind.
Më vonë, ai e shtyu hyrjen në fuqi të tarifave të reja deri më 9 korrik për të gjitha shtetet, përveç atyre që kanë normën e caktuar prej 10 për qind. qa/