Toshkovski: Lufta me tregtinë e palejuar me drogë është dhe do të mbetet një nga prioritetet strategjike të MPB-së, kjo luftë nuk zhvillohet vetëm me arrestime dhe konfiskime
- – Lufta me tregtinë e palejuar me drogë është dhe do të mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Jo vetëm për shkak të pasojave të saja ndaj të rinjve dhe shëndetit shoqëror, por edhe për shkak të faktit që ky fenomen përfaqëson burim kyç të forcës dhe burimeve për grupet e organizuara kriminale. Kjo luftë duhet të jetë e përbashkët, gjithëpërfshirëse dhe e fokusuar strategjikisht.
- Post By Fitore Curri
- 11:57, 11 qershor, 2025
Shkup, 11 qershor 2025 (MIA) – Lufta me tregtinë e palejuar me drogë është dhe do të mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Jo vetëm për shkak të pasojave të saja ndaj të rinjve dhe shëndetit shoqëror, por edhe për shkak të faktit që ky fenomen përfaqëson burim kyç të forcës dhe burimeve për grupet e organizuara kriminale. Kjo luftë duhet të jetë e përbashkët, gjithëpërfshirëse dhe e fokusuar strategjikisht.
Kjo është porosia e ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, i cili sot foli në sesionin e 16-të të Grupit të Punës 4 nga Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoni, platformë, siç theksoi, e cila përgjatë viteve është themeluar si hapësirë serioze dhe e besueshme për dialog, analizë dhe rekomandime në procesin e integrimit evropian.

Tema e sesionit të sotëm “Sfidat dhe perspektivat në politikat kombëtare për droga dhe substanca psikoaktive: harmonizim i legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane”, theksoi Toshkovski, është temë e cila e preokupon çdo segment të shoqërisë sonë. Kjo, nënvizoi, nuk është vetëm çështje e sigurisë dhe juridike, ajo është çështje shëndetësore, sociale dhe e civilizuar, e cila e hap dilemën mes represionit dhe rehabilitimit, mes kontrollit dhe mbështetjes, mes dënimit dhe mundësisë për fillim të ri.
MPB si institucion i vijës së parë të frontit në parandalimin e tregtisë së palejuar me drogë, tha ministri Toshkovski, është për çdo ditë dëshmitare e transformimeve dhe sfidave të cilët i sjell ky fenomen, nga rritja e substancave sintetike dhe qasja e tyre, deri në lidhjen me krimin e organizuar dhe rrjetet transnacionale.
“Por, pikërisht për këtë është me rëndësi të theksojmë se lufta kundër drogës nuk zhvillohet vetëm me arrestime dhe konfiskime. Ajo zhvillohet edhe me të dhëna, me politika të përcaktuara shkencore, me parandalim në shkolla, me programe për trajtim dhe mbështetje sociale, me besim të ndërsjellë ndërmjet institucioneve, dhe me komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe bashkësitë”, ishte i vendosur ministri i punëve të brendshme.

Para ekspertëve të pranishëm kombëtarë, përfaqësues të bashkësisë akademike dhe të organizatave civile, si dhe ekspertë sllovakë për kriminalistikë, Toshkovski potencoi se në këtë forum pjesëmarrësit dëgjojnë, shkëmbejnë përvoja, dhe më e rëndësishme, siç tha, është të ndërtojmë politika të cilat bazohen në standarde evropiane, por edhe i nevojave reale dhe specifikave të shoqërisë sonë.
Ai veçanërisht e përshëndeti përfshirjen e bashkësisë akademike, organizatave civile dhe partnerët ndërkombëtarë, pa të cilët, theksoi, asnjë strategji nuk mund të jetë as e qëndrueshme, as efikase.
“Si ministër i Punëve të Brendshme, mbetem i përkushtuar ndaj vizionit të një force policore moderne, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt partneritetit, e cila e di se siguria e vërtetë nuk ndërtohet vetëm me forcë, por me mirëkuptim dhe një qasje sistemike”, tha ministri Toshkovski dhe shfaqi shpresën se kjo seancë do të japë rekomandime specifike, të zbatueshme dhe të fokusuara strategjikisht që do të ndihmojnë në misionin tonë të përbashkët - një shoqëri të sigurt, të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse, të denjë për të ardhmen evropiane që po ndërtojmë.
Nikoqir i sesionit të sotëm të Grupit të Punës 4 – Drejtësia, Liria dhe Siguria (Kapitulli 24) të organizuar nga Lëvizja Evropiane është Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut. Dialogu përqendrohet në sfidat dhe mundësitë kryesore në procesin e harmonizimit të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane në fushën e politikave për drogën dhe substancat psikoaktive. Debati pritet gjithashtu të ngrejë pyetje në lidhje me mekanizmat për monitorimin dhe trajtimin e aktiviteteve kriminale të lidhura me drogën, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të luftuar krimin e organizuar, i cili është thellësisht i infiltruar në këtë fushë dhe ka pasoja të rëndësishme sociale.

Në forum pritet të miratohen edhe shumë rekomandime të punës në mesin e të cilave: fuqizimi i gatishmërisë institucionale dhe roli i Komisionit Kombëtar për Droga gjatë ndryshimeve në statusin juridik të kanabisit, mbikëqyrje e fuqishme ndaj marketingut dhe eksportit të kanabisit i prodhuar nga kompani të licencuara, përgatitje e institucioneve për zbatimin e ligjit për përballje me krimin e organizuar në kontekst të prodhimtarisë së rritur të kanabisit medicinal, si dhe zhvillim i strategjisë për parandalimin e tregtisë me heroinë në këmbim të kanabisit
Rekomandimet kërkojnë gjithashtu forcimin e reagimit institucional ndaj kërcënimit në rritje të prodhimit dhe tregtisë së paligjshme të drogave sintetike, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për të luftuar krimin e organizuar të drogës, në përputhje me praktikat dhe politikat e sigurisë të BE-së, si dhe krijimin e një vlerësimi sistemik si bazë për një politikë efektive të drogës dhe trajtimin e përdorimit dhe varësisë nga droga si një problem shëndetësor brenda kornizës së politikës së drogës. fc/
Foto dhe video: MIA