Toshkovski: Filloi periudha provuese e sistemit "Qyteti i Sigurt", për 12 orë mbi 65.000 kundërvajtje
- - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vizitoi sot objektin ku është i vendosur sistemi qendror "Qyteti i Sigurt" (Safe City), me rastin e fillimit të periudhës provuese në të cilën kryerësit e kundërvajtjeve të komunikacionit do të pranojnë lajmërim për kundërvajtjen e kryer, informojnë nga MPB.
- Post By Fitore Curri
- 16:16, 1 dhjetor, 2025
Shkup, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vizitoi sot objektin ku është i vendosur sistemi qendror "Qyteti i Sigurt" (Safe City), me rastin e fillimit të periudhës provuese në të cilën kryerësit e kundërvajtjeve të komunikacionit do të pranojnë lajmërim për kundërvajtjen e kryer, informojnë nga MPB.

Nga Ministria sqarojnë se me ndryshimet e fundit të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, kundërvajtjet e dokumentuara me mjete teknike - kamera, sensorë dhe pajisje për incizim - konsiderohen si provë e vlefshme.
"Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë: ngasjen e shpejtë, kalimin në sinjalin e kuq, lskadimin e vlefshmërisë së lejes të qarkullimit dhe parkimin e parregullt. Në fazën tjetër është planifikuar zgjerimi i spektrit të kundërvajtjeve", thonë nga MPB.

Kur sistemi do të lëshohet plotësisht në përdorim, pronarët e automjeteve për të cilat është konfirmuar kundërvajtja do të pranojnë mesazh SMS dhe një email me një link për shkarkimin e procesverbalit me urdhërpagesë. Kundërvajtjet do të mund të paguhen në mënyrë elektronike, ndërsa në rast të pagesës me kohë nuk do të arkëtohen shpenzime plotësuese. Për kundërvajtje të caktuara për të cilat është paraparë edhe masa e ndalesës së drejtimit të automjetit, MPB do të paraqesë kërkesë për nisjen e procedurës në gjykatën kompetente.
Në 12 orët e para të funksionimit provues të sistemit u regjistruan 65.000 kundërvajtje të pabesueshme, nga të cilat 2,800 ishin për kalim në sinjalin e kuq dhe 1,000 ishin për makinë të paregjistruar. Kjo shifër alarmante, thonë nga MPB, e konfirmon edhe një herë domosdoshmërinë dhe justifikimin e sistemit, nga i cili presim përmirësim të ndjeshëm në kulturën e trafikut, rritje të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe një ulje të dëmeve dhe viktimave në rrugë.

"Me lëshimin e këtij sistemi, po dërgojmë një mesazh të qartë - siguria e qytetarëve është prioriteti kryesor. Nuk ka tolerancë për drejtim të pandërgjegjshëm, pavarësisht nëse është në një zonë urbane apo në rrugë të hapur. 'Qyteti i Sigurt' është një projekt që mbron jetë dhe rikthen disiplinën në komunikacion", theksoi ministri Toshkovski gjatë vizitës.
Nga MPB paralajmërojnë se do të vazhdojnë edhe me testimin dhe përmirësimin e sistemit, me qëllim funksionimin e tij të plotë në fazën e ardhme. fc/
Foto dhe video:MPB