• e premte, 05 dhjetor 2025

Taravari: Për momentin kemi vendim të sigurt se shkojmë me lista të veçanta të këshilltarëve dhe nga kjo nuk ka kthim prapa

Taravari: Për momentin kemi vendim të sigurt se shkojmë me lista të veçanta të këshilltarëve dhe nga kjo nuk ka kthim prapa

Shkup, 29 prill 2025 (MIA) – Për momentin kemi vendim të sigurt se shkojmë me lista të veçanta të këshilltarëve dhe ai është vendim i partisë. Nga kjo nuk ka kthim prapa. Për gjithçka tjetër, jemi të gatshëm dhe të hapur të bisedojmë me të gjithë në lidhje me zgjedhjet lokale, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili është edhe lider i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët. 

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Taravari tha se ka komunikim të rregullt me kryeministrin dhe pasi që të kthehet nga udhëtimi zyrtar, do të bisedojnë. 

“Sapo të kthehet kryeministri nga udhëtimi, do të takohemi dhe do të bisedojmë, përndryshe kemi komunikim të rregullt. Atë që e ka thënë zotëri Nikolloski, të gjithë i dëgjoj, megjithatë ne jemi parti autonome, vendosim vetë. Për momentin kemi vendim të sigurt se shkojmë me lista të veçanta të këshilltarëve dhe ai është vendim i partisë dhe nga kjo nuk ka kthim prapa. Për të gjitha të tjerat, jemi të gatshëm dhe të hapur të bisedojmë me të gjithë sa i përket zgjedhjeve lokale”, tha Taravari. 

Nënkryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski në intervistë për emisionin “360 gradë” tha se nuk pret që Taravari të ndërmarrë hap me të cilin do të bënte koalicion me BDI-në opozitare, sepse kjo për të do të nënkuptonte vetëvrasje politike. Sipas Nikolloskit, nuk ka paralajmërim zyrtar nga Taravari se do të bëjë koalicion me BDI-në. 

“Ai ka shumë përvojë politike. Ndoshta e kam kritikuar më shumë nga të gjithë ne në Qeverinë aktuale, por nëse e lëmë këtë mënjanë, fakti është se ai ka përvojë politike dhe nuk mendoj se është i tillë, le ta them anasjelltas - naiv, që të hyjë në bashkëpunim me BDI-në. Mendoj se publiku e nënvlerëson pak dhe nuk pres që ai të ndërmarrë një hap ku do të kryente vetëvrasje politike. Do të habitesha nëse ai do të tregonte një naivitet të tillë politik. Sigurisht, nuk e përjashtoj një skenar të tillë, por do të habitesha shumë nëse do të ndodhte, theksoi Nikolloski. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR