• e premte, 22 nëntor 2024

Taravari për Dimitrievskin: E rikujtoj se vitin e ardhshëm janë zgjedhjet lokale, ndoshta do t'i duhen përsëri votat shqiptare

Taravari për Dimitrievskin: E rikujtoj se vitin e ardhshëm janë zgjedhjet lokale, ndoshta do t'i duhen përsëri votat shqiptare

Shkup, 21 gusht 2024 (MIA) - Mënyra se si komunikon Maksim Dimitrievski nuk më pëlqen fare dhe nuk do të doja të diskutoja më shumë, thotë Arben Taravari nga koalicioni "VLEN" e cila është pjesë e qeverisë, duke porositur partnerin e saj në qeveri, liderin e Lëvizjes ZNAM se “zgjedhjet lokale janë vitin e ardhshëm dhe ndoshta do t’i duhen përsëri votat shqiptare”.

I pyetur për koment për deklaratën e djeshme të Dimitrievskit se “është gabim që VLEN të kopjojë BDI-në”, Taravari tha se është në drejtim të përfitimit të pikëve politike.

"Z. Dimitrievski dëshiron të poentojë për të fituar mbështetje politike. Unë e rikujtoj se para tre vitesh u zgjodh kryetar komune me një numër të madh të votave të shqiptarëve, vitin e ardhshëm janë zgjedhjet lokale, ndoshta do t'i duhen përsëri. Nuk më pëlqen niveli në të cilin komunikon Dimitrievski dhe nuk do të doja të diskutoja më shumë", ka thënë Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën për media me rastin e futjes së barnave të reja në listën pozitive.

Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski i pyetur për raportin me koalicionin "VLEN" pas mosmarrëveshjeve për balancuesin, dje tha se është gabim që "VLEN" të kopjojë BDI-në dhe se "do të duhet të korrigjohen".

"Mendoj se partneri ynë në pushtet, edhe pse ZNAM është partner me VMRO-DPMNE-në në këtë qeveri dhe në asnjë moment ne nuk kemi biseduar si parti politike për çfarëdo lloj koalicioni ose mbështetje të ndërsjellë në nivel qendror, por, megjithatë ata janë partner i partnerit tonë, e respektojmë këtë por duhet ta korrigjojnë veten. Mendoj se është gabim ta kopjojnë BDI-në, sepse BDI tashmë është një e kaluar. Duhet të krijojmë politika të reja për rritje ekonomike dhe zhvillim të shtetit, sepse qytetarët tashmë nuk janë të ngarkuar, kush çfarë flamuri do të valojë ose kush është pengu më i madh për të përmbushur disa platforma dhe strategji kombëtare të theksuara", deklaroi Dimitrievski.

Nga koalicioni “VLEN” përmes një komunikate për media i  bënë thirrje ZNAM-it që “të mos i bëjë qejfin BDI-së”, duke thënë se “nuk duhet të pajtohemi për të gjitha çështjet, por duhet të respektohemi duke pasur parasysh faktin se jemi pjesë e një qeverie të përbashkët sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo politike”.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR