Taravari: Organet partiake do të vendosin për daljen nga Qeveria, Mickoskit personalisht do t'ia kumtoj vendimin
- Lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dje në hapjen e shtabit zgjedhor në Vrapçisht paralajmëroi se organet e partisë do të vendosin për daljen nga koalicioni qeveritar dhe se vendimi përfundimtar do të kumtohet në dy ditët e ardhshme. Paralajmëroi se do të bisedojë personalisht me kryeministrin Hristijan Mickoski për ta informuar qartë dhe saktë për vendimin.
- Post By Fami Bajrami
- 10:35, 12 maj, 2025
Gostivar, 12 maj 2025 (MIA) - Lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dje në hapjen e shtabit zgjedhor në Vrapçisht paralajmëroi se organet e partisë do të vendosin për daljen nga koalicioni qeveritar dhe se vendimi përfundimtar do të kumtohet në dy ditët e ardhshme. Paralajmëroi se do të bisedojë personalisht me kryeministrin Hristijan Mickoski për ta informuar qartë dhe saktë për vendimin.
Në koalicion, vlerësoi Taravari, "nuk kanë marrë mbështetje për ndryshimet të cilët i kërkuan dhe prisnin shqiptarët".
"Qeveria në një mënyrë humbi në rrugën drejt BE-së. Shikoni, gjendja në administratën shtetërore, ka një margjinalizim të jashtëzakonshëm dhe një tendencë që shqiptarët të margjinalizohen. Aleanca për Shqiptarët nesër ose pasnesër do të vendosë për daljen nga Qeveria. Kur të gjithë vrapojnë për të hyrë në Qeveri, ne jemi mësuar të dalim nga Qeveria. Po e lëmë Qeverinë që të rikthehemi më të fuqishëm, veçanërisht në pushtetin lokal, ndërsa pastaj dhe në pushtetin qendror", tha ai.
Ai shtoi se "nuk dëshiron që ata të jenë marionetë në Qeveri dhe anëtarët e partisë dhe aktivistët e tyre të mendojnë se nuk mërziten për interesat e tyre".
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, mbrëmë zyrtarisht ka promovuar kandidaturën e Isen Shabanit për kryetar të komunës së Vrapçishtit. Shabani do të kandidojë për një mandat të tretë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Në një tubim të mbajtur me banorët e kësaj komune të Pollogut, Taravari theksoi përkushtimin dhe rezultatet e Shabanit dhe shprehu besimin se ai është zgjidhja më e mirë për vazhdimin e zhvillimit të komunës. Kandidati për kryetar komune po ashtu përmendi se arsyeja e rikandidimit të tij janë vetë banorët e kësaj komune, të cilët, siç tha, "i japin nxitje për të vazhduar punën". Në këtë rast, ai përmendi disa nga investimet e bëra brenda 8 viteve, pastaj duke theksuar se theksi është vendosur te arsimi.
Taravari, duke komentuar deklaratën e djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, vlerësoi se kryeministri në periudhën e kaluar ka qenë nën presion të madh dhe se i vjen keq që ka rënë viktimë e disa "bindjeve".
Në një deklaratë për TV 21, ai potencoi se personalisht do të bisedojë me Mickoskin për t'i sqaruar më mirë çështjet rreth vendimit të krahut të tij të Aleancës për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit me lista të pavarura të këshilltarëve.
"Kryeministri Mickoski ka qenë dhe është nën presion të madh kohëve të fundit për disa gjëra dhe më vjen keq që dëgjoj se edhe ai po bëhet viktimë e këtyre 'bindjeve'. E vërteta e vetme është se ne si parti vendosëm që në zgjedhjet lokale të dalim me lista të veçanta këshilltarësh. Ky vendim nuk u prit mirë nga grupi shqiptar në qeveri dhe ngritën një mijë alibi. Ne nuk duam të jemi më pjesë e kësaj klime thashethemesh dhe komplotesh që është krijuar. Këta politikanë shqiptarë që janë në qeveri, fatkeqësisht nuk mund të ndryshojnë, janë pasardhës të mentalitetit të vjetër politik. Megjithatë, personalisht do të flas me z. Mickoski për t'i treguar qartë dhe saktë vendimin tonë", theksoi Taravari.
Mickoski dje vlerësoi se Qeveria është stabile, ka shumicë të madhe dhe është e fokusuar në agjendën e reformave dhe realizimin e projekteve dhe paralajmëroi se gjatë kësaj jave pritet takimi përfundimtar me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, në të cilin do të përmblidhet gjithçka që është bërë.
"Mendoj se z.Taravari dhe disa njerëz rreth tij janë të vendosur për t'u kthyer në krahët e Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Unë mundem vetëm t'i uroj fat dhe të shpresoj që javën e ardhshme të kemi një takim përfundimtar, ku do të përmbledhim atë që është bërë. Unë mund t'i uroj shëndet mbi të gjitha, kjo është më e rëndësishmja për të gjithë ne”, deklaroi Mickoski pas inspektimit të aktiviteteve ndërtimore në çerdhen për fëmijë në Inxhikovë, në Komunën e Gazi Babës, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Më 5 maj, Mickoski dhe Taravari kanë pasur takim i cili ishte caktuar pas trazirave në koalicionin "VLEN" dhe pretendimeve për bashkëpunim të Taravarit me BDI-në. Siç brifuan atëherë nga shërbimi qeveritar për shtyp për MIA-n, takimi kaloi në frymë konstruktive, ndërsa gjatë këtij muaji do të dihet e ardhmja e funksionimit të ASH-së. rq/
Foto: MIA