• e diel, 22 dhjetor 2024

Taravari: Kemi krijuar realitet të ri mes Maqedonisë dhe Kosovës

Taravari: Kemi krijuar realitet të ri mes Maqedonisë dhe Kosovës

Shkup, 19 nëntor 2024

Kryetari i ASH-së dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në emisionin Interaktiv në KTV, ka deklaruar se raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ekzistojnë raporte të shkëlqyeshme mes dy qeverive. Taravari tha se gjatë vizitës në Prishtinë kishte një atmosferë fantastike dhe kjo është një realitet i ri mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë takimit u nënshkruan tre marrëveshje dhe në pritje të një marrëveshje tjetër që do të nënshkruhet në fund të vitit. U nënshkruan marrëveshjet mes MPB-së së dy vendeve ku do të kemi pika të përbashkëta kufitare (one stop shop) që do ta lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave. Një ide e kamotshme që sot u realizua. Marrëveshja e dytë ishte ajo e energjetikës. Maqedonia dhe Kosova kanë resurse të ndryshme energjetike. Të dyja kanë deficit të energjisë”, tha Taravari.
 
Ai shtoi se Marrëveshja e tretë ishte për arsimin në këmbim të shkollave të mesme profesionale dhe së shpejti para vitit të ri kemi marrëveshjen për shëndetësi mes dy shteteve. Sipas tij, marrëveshja e fundit mes dy vendeve në shëndetësi është bërë në dhjetor të vitit 2020. Kemi bërë një draft me ministrin Arben Vitia.

“Përfshihen 12 pika. Ajo të digjitalizimit të shëndetësisë. Transplantimi do të jetë një ndër temat në memorandumin që do ta nënshkruajmë me Kosovën. Nëse ka pacient prej Kosove të cilat duan të bëjnë transplant, mund ta bëjnë në Maqedoni. Kemi transplant të zemrës dhe mëlçisë, dhe këtu mund ti ndihmojnë qytetarët e Kosovës”, nënvizoi Taravari.

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR