• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Taravari: Do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm Kumanovës dhe Likovës

Taravari: Do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm Kumanovës dhe Likovës

Shkup, 17 prill 2024 (MIA) - Kandidati presidencial i Koalicionit "VLEN" Arben Taravari sonte në tubim në komunën e Likovës  premtoi se nëse zgjidhet president i shtetit do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm Kumanovës dhe Likovës si vende të zhvilluara në bujqësi dhe prodhimtari. 

"Do ta lidhim Kumanovën me Gjilanin dhe Preshevën, do të investojmë më shumë në agrobiznes, në grante për fermerë dhe në zhvillim ekonomik që rajonit të Likovës dhe Kumanovës t’i rikthejmë namin e dikurshëm në bujqësi dhe prodhimtari në rajonin e Likovës dhe Kumanovës", tha Taravari.

Ai tha se komuna e Likovës  e ngriti në pushtet BDI-në ndërsa si shpërblim mori vetëm dëm, padrejtësi e keq-qeverisje.

"Në vend se ta privilegjojë e ta zhvillojë, këtë rajon që dikur cilësohej si rajon i krizës, keq-qeverisja e BDI-së e ka zhytur në kriza të shumëfishta. Krizë e ekonomisë dhe e bujqësisë, krizë e papunësisë dhe e migrimit, por edhe krizë e sigurisë dhe e rasteve të montuara. Askush më shumë se banorët e kësaj ane nuk i kanë ndjerë në lëkurën e tyre pasojat e keq-qeverisjes së BDI-së" theksoi Taravari në fjalimin e tij.

 Sipas tij kjo gjendje do të marrë fund me votën e vetë qytetarëve, që "VLEN" dhe do të sjellë ndryshimin e shumë pritur.
 
"Do të sjellim më shumë drejtësi, fillimisht për rastet e montuara politike, ku do të angazhohemi për drejtësi dhe dëmshpërblim të atyre shqiptarë që janë mbajtur padrejtësisht në burg", deklaroi Taravari.

Ndër të tjera, Taravari edhe nga Likova përsëriti se me ardhjen në pushtet të "VLEN"-it do të ndalohet bixhozi ndërsa do t’i falin borxhet nga kompanitë e kredive të shpejta, të cilat po ashtu the se do t’i mbyllin. sa/

Foto: Koalicioni VLEN

QËNDRONI TË LIDHUR