• e hënë, 23 dhjetor 2024

Takim Besimi-Rue: Reformat mbi perspektivën evropiane mbështeten nga partneri ynë BERZH

Takim Besimi-Rue: Reformat mbi perspektivën evropiane mbështeten nga partneri ynë BERZH

Shkup, 22 janar 2023 (MIA) - Prioritetet dhe reformat që po zbatojmë dhe na çojnë në rrugën drejt BE-së dhe në përgjithësi drejt zhvillimit më të shpejtë, rritjes, standardit më të mirë të jetesës dhe për të cilat kemi përkrahje nga BE-ja dhe Banka Evropiane për Rindërtimi dhe Zhvillim, ishin temë e takimit të sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me drejtoreshën e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Sharlot Rue.

"Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut është nikoqire e takimit të liderëve për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Aktivitetet që realizohen nga të gjitha palët e involvuara për realizimin e këtij instrumenti të rëndësishëm po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar, ndërsa ky takim duhet të jetë impuls shtesë në realizimin e tij. Si vend që është pjesë e rajonit dhe pjesë e Planit të rritjes, kemi qasje serioze dhe të përgjegjshme në zbatimin e tij. Këto janë reforma që janë para nesh, reforma që po i definojmë së bashku me partnerët tanë në BE dhe reforma për të cilat kemi përkrahje nga partnerët tanë, siç është BERZH-i”, theksoi ministri Besimi.

Ministri Besimi shprehu mirënjohjen lidhur me përkrahjen që ky institucion financiar ndërkombëtar i ka dhënë vendit tonë, sa i përket progresit tonë dhe realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore. “Para një muaji me BEI-n, BERZH-in, BE-në përmes WBIF-isë dhe programit IPA përmbyllëm financimin e pjesës së fundit të ndërtimit të linjës hekurudhore drejt Bullgarisë. Me përkrahjen e këtyre institucioneve financiare evropiane, kemi siguruar mjete financiare për përfundimin e projektit, që tashmë po ndërtohet me dekada. Në këtë listë, gjenden shumë projekte të tjera, ndërsa përkrahje të veçantë presim për sektorin energjetik, përkatësisht sa i përket tranzicionit të vendit tonë drejt prodhimit të energjisë së gjelbër” theksoi ministri Besimi.

Në këtë takim, u bisedua edhe për financimin shtesë në vlerë prej rreth 100 milionë eurove për ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë, projekt i rëndësishëm për vendin tonë, me të cilin do të sigurohet stabilitet në furnizimin dhe diversifikimin e burimeve dhe tubacioneve të gazit, Sveti Nikollë – Veles dhe Gostivar – Kërçovë.

Me përkrahjen e BERZH-it, deri më tani, në vendin tonë janë realizuar 175 projekte në vlerë prej 2.7 miliardë eurove, nga të cilat 87% janë në sektorin publik. Momentalisht, portofoli i projekteve që janë në fazën e realizimeve është 819 milionë euro, ndërsa ndërmjet të cilave janë pjesët e autostradave Bukojçan-Kërçovë të Korridorit 8, Kriva Pallankë-Kufiri me Bullgarinë po ashtu pjesë e Korridorit 8, pjesa e autostradës Shkup – Bllacë, linja hekurudhore nga Kumanova në Bullgari, kalimi kufitar i përbashkët të Tabanoc, projektet e stacioneve të filtrimit, deponitë rajonale, centralet fotovoltaike etj.

Takimi u mbajt në Shkup në margjinat e takimit të liderëve të vendeve pjesëmarrëse të vendeve të rajonit nga BE-ja dhe SHBA-të dhe institucionet ndërkombëtare kushtuar Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Foto: Ministria e Financave

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR